Flash News

KRYESORE

Tirana zyrtarisht kampione për të 25-ën herë, bardheblutë rrëmbejnë kupën e superligës për herë të parë pas 11 vjetësh

Tirana është shpallur zyrtarisht kampione mbrëmjen e sotme, duke siguruar kështu titullin e 25-të në histori. Rezultati nuk kishte rëndësi për bardhe-blutë, pasi titulli erdhi dhuratë nga Vllaznia, e cila mundi 1-0 Kukësin në Shkodër.

Kështu, Tirana është shpallur automatikisht kampione, duke rrëmbyer për herë të parë pas 11 vitesh trofeun e Superligës shqiptare.

Medaljet e bardhebluve u shpërndanë nga Presidenti Meta, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Kupa u ngrit në qiell nga kapiteni Erando Karabeci.

Takimi i sotëm me rezultatin 1-1 shënoi ndeshjen e fundit të Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020.

Kujtojmë se, hera e fundit që ekipi i Tiranës ishte shpallur kampion ishte në vitin 2009. Ndeshja e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare” u shoqërua nga masa të rrepta sigurie, ku punonjës policie kishin blinduar anët e stadiumit për të shmangur tifozët e zjarrtë të bardhebluve të zbrisnin në fushë, me qëllim mbrojtjen nga rreziku i përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Të fundit