Flash News

KRYESORE

Tjetër largim nga Shtëpia e Bardhë, zyrtari i lartë largohet pas akuzave për abuzim me gratë

Zyrtari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, Rob Porter, është detyruar të japë dorëheqjen nga posti pas akuzave për abuzim me ish-bashkëshortet, të cilat ai i ka cilësuar si pjesë të një fushate të koordinuar ndaj tij.

Lajmin  për largimin e një prej njerëzve më të besueshëm të Trump e kanë konfirmuar burime nga selia presidenciale amerikane. Dorëheqja e sekretarit të stafit të Shtëpisë së Bardhë vjen dy javë pas akuzave se kishte abuzuar me dy ish-bashkëshortet e tij. Në një deklaratë për shtyp të mbajtur në prag të dorëheqjes, ai i mohoi akuzat.

“Këto akuza të qëllimshme janë thjesht një farsë. Unë kam qenë i hapur dhe i sinqertë sa i takon këtyre aludimeve burracake, por nuk kam ndërmend të vijoj publikisht një debat kundër një fushate të mirëkoordinuar ndaj meje”, u shpreh Porter.

Largimi i Porter erdhi pavarësisht kundërshtimit nga ana e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe zyrtarëve të tjerë.

Mediat e huaja shkruajnë se Porter ka patur një lidhje me shefen e zyrës së komunikimit në selinë presidenciale Hope Hicks, një nga figurat më influente të (West Wing) Krahut Perëndimor.

Zëdhënësja Sarah Sanders bëri me dije se ai do të qëndrojë në detyrë për të garantuar një tranzicion të lehtë të menaxhimit të postit.

Të fundit