Flash News

KRYESORE

Topalli mban fjalimin e fundit në Kuvend dhe kapet me Ramën: Tani këtu flas unë… Kryeministri: Do më mungosh

Topalli mban fjalimin e fundit në Kuvend dhe kapet me Ramën: Tani

Deputetja e PD, Jozefina Topalli ka mbajtur fjalimin e fundit në Kuvend, të paktën për katër vitet e ardhshme, dhe ka deklaruar se do të votojë kundër listës me anëtarët e Kolegjit të Apelimit dhe të Komisionit të Vetting-ut.

Topalli akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryeopozitarin Lulzim Basha se kanë futur në listë njerëzit e tyre, duke fortifikuar në këtë mënyrë korrupsionin në drejtësi.

“Kjo gjë e mirë (reforma në drejtësi) mund të përfundojë në mënyrën më të shëmtuar. Meqë nuk guxoni të flisni, po flas unë. Në këtë listë ka njerëz të kryeministrit, miq të kryeministrit, kamikazë të kryeministrit. Ka pushtues tokash. Këta tani do të bëjnë vetting-un. Tani këtu flas unë (I drejtohet Ramës). Ato që nuk janë të tuat, janë të paktit me zotin Basha. Sot po bëni fortifikimin e korrupsionit në drejtësi. Unë nuk e mbyll këtë legjislaturë duke votuar këtë listë. Kjo është historia e një dështimi të madh. Unë nuk do të jem në këtë sallë, por mbas dy vitesh shqiptarët do ta kuptojnë se çfarë gabimi po bëhet”, u shpreh Topalli.

Kryeministri Rama ka replikuar me Topallin duke mohuar se i njihte personat në listë. Ai tha se do i mungonte Topalli në sesionin e ardhshëm, por ky është çmimi që ajo duhet të paguajë për pranimin e çadrës.

“Nuk e di ku mi gjete këta miq. Ta them sinqerisht që do më mungosh shumë në sesionin e ardhshëm. Por ky nuk është faji im, unë e kam bërë timen që të dallohesh si kundërshtare e qeverisë. Ky është çmimi që duhet t’i paguani hyrjes në çadër”, u shpreh Rama.

Pas fjalimeve, anëtarët e Kolegjit të Apelimit dhe të Komisionit të Vetting-ut u votuan me 100 vota pro dhe dy kundër.

Të fundit