Flash News

KRYESORE

“Tradhëtar”/ Rama debat me qytetarin për Shengenin Ballkanik: Faji i politikës kosovare

Kryeministri Edi Rama nuk e duron dot më që të shahet tradhtar kur bëhet fjalë për nismën e Shengenit Ballkanit. Për më tepër që ditën e djeshme u përkujtua 21 vjetori i masakrës së Reçakut, e zërat që e akuzojnë atë për një afrim me Serbinë e sidomos me presidentin serb Aleksandar Vuçiç janë shtuar së tepërmi.

Ndërsa një tjetër qytetar i Kosovës e quajti, tradhtar në Facebook, ai iu përgjigj ashpër:

“Keqardhje e turp për ty dhe këdo tjetër si ti që prej Kosove më shan e më mallkon paturpësisht, për tradhëtira imagjinare e për poshtërsia të sajuara ndaj meje nga politikanë e analistë pa din e pa iman!

Unë kam bërë, bëj e do bëj gjithçka mundem për Shqipërinë e për Kosovën po njësoj, e nuk kam ndërmend as të tërhiqem, as të përkulem, përballë kësaj armate trushkulurish, shpifësish e parazitësh, sepse jam me të drejtën dhe me të vërtetën, që edhe kur vonon nuk harron asnjëherë”.

Në lidhje me masakrën e Reçakut, ai u shpreh se “ato viktima te pafajshme të agresionit serb nuk i nderon aspak zotëria jote duke më fyer mua, ashtu sikundër viktimat e urrejtjes nuk nderohen aspak duke i përdorur për politikën e ulët, që i ndan njerëzit në patriotë e në tradhtarë!”

Por Rama nuk la pa kritikuar edhe politikën kosovare.

“Ndjek me shumë keqardhje se si ajo lloj politike po ia merr Kosovës frymën e fytyrën, në sytë e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët habiten gjithnjë e më shumë nga paaftësia politike e nga hipokrizia patriotike e atyre qe kujtojnë se me shpifjet e sharjet ndaj meje, do i ikin përgjegjësive te tyre para popullit dhe të ardhmes së Kosovës!”, shkroi Rama në polemikën e tij.

Të fundit