Flash News

KRYESORE

Tragjedi në Berat/ Hynë për të pastruar pusin, humbin jetën gjyshi me dy nipërit

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Dyshnik të Beratit.

Tre persona kanë humbur jetën, teksa kishin hyrë për të pastruar pusin që e përdornin për ujë të pijshëm.

Mësohet se Neim, Kamber dhe Gentian Hoxha, të tre me lidhje familjare mes tyre kanë ndërruar jetë.

Policia e Beratit ka zbardhur detaje lidhur me ngjarjen e rëndë.

Sipas të dhënave të deritanishme, i pari kishte hyrë 75-vjeçari Kamber Hoxha, më pas kanë hyrë dy nipërit e tij për ta ndihmuar, Neim dhe Gentian Hoxha, përkatësisht 46 vjeç dhe 45 vjeç, por kanë mbetur edhe ata brenda të pajetë.

“Në datën 07.05.2020, ora 07:30, në fshatin Dyshnik, Berat, shtetasi K. H., 75 vjeç, ka hyrë brenda në pus për ta pastruar atë dhe më pas janë afruar dy nipërit për ta ndihmuar, shtetasit N. H., 46 vjeç dhe G. G., 45 vjeç, të cilët kanë mbetur brenda në pus.

Shërbimet e Policisë, zjarrfikëset dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Zjarrfikësit i kanë nxjerrë nga pusi trupat e pajetë të këtyre tre shtetasve dhe i kanë dërguar në morgun e spitalit të Beratit.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së tre shtetasve”, sqaron policia.

Dyshohet se tre viktimat mbetën të bllokuar në pus pasi hasën në një xhep gazi, duke u shkaktuar vdekjen.

Të fundit