Flash News

KRYESORE

Tre kandidatë e braktisën para zgjedhjeve, reagon Patozi: Asnjë peng për ta, i dimë zyrat ku i kanë thirrur të penduarit

Astrit Patozi, themeluesi dhe koordinatori i partisë Bindja Demokratike ka reaguar për herë të parë pasi tre kandidatë të BD janë tërhequr nga gara për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Patozi e komenton largimin e kandidatëve të larguar si persona “që u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE”.

Sipas Patozit, ata që po përpiqen ta pengojnë partinë e tij po e bëjnë nga dëshpërimi.

Reagimi i plotë:

NUK NA NDALIN DOT, NDAJ JANË TËRBUAR NGA DËSHPËRIMI

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek BINDJA DEMOKRATIKE. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.

Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE.

Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj ebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t'i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.

E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar.

Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë.

Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e BINDJES DEMOKRATIKE.

Gjatë ditëve të fundit, janë tërhequr nga gara kandidati për bashkinë e Lezhës, Salvador Kaçaj, kandidati për bashkinë e Skraparit, Devi Hebibasi dhe ai i bashkisë së Kavajës, Bledar Sinella.

Të fundit