Flash News

KRYESORE

Tri momentet e (pa)pritura të Albin Kurtit gjatë ceremonisë zyrtare me Edi Ramën në Tiranë

Albin Kurti zgjodhi Tiranën për të kryer vizitën e tij të parë zyrtare, nën cilësinë e kryeministrit të ri të Kosovës.

Axhenda e takimeve ka nisur me një ceremoni shtetërore nga qeveria shqiptare, ndërsa u prit nga kryeministri Edi Rama.

Tre ministra të kabinetit ‘Rama’ pasuan pritjen zyrtare, i pari ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ministrja Elisa Spiropali.

Nuk u kalua pa u komentuar shtrëngimi i duarve të Kurtit me dy ministrat nga Kosova, sidomos me Genc Cakajn.

Ndonëse në dukje ishte një takim i ngrohtë dhe me buzëqeshje, mes ministrit Cakaj dhe Albin Kurtit  të Vetëvendosjes, marrëdhëniet janë të ngrira, që prej kohës kur mori detyrën e Ministrit të Jashtëm. Kujtojmë se në shkurt të 2019-ës, Lëvizja Vetëvendosja doli me një deklaratë në të cilën thuhej se Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit.

Në deklaratë, kjo forcë politike e quajti të drejtë vendimin e Presidentit Meta për refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Pak ditë më vonë, Kurti tha se “Gent Cakaj shpërtheu si rrena! Edhe në Republikën e Shqipërisë edhe në Republikën e Kosovës ka njerëz më cilësor, më të përgatitur dhe më patriot sesa ai”.

Duke e cilësuar si njeriun e Baton Haxhiut, ai tha se ky i fundit është një nga njerëzit më të urryer në Kosovë, për shkak të lidhjeve të tij me shefin e shërbimit sekret shtetëror serb.

“Që ky person (Baton Haxhiu) të ketë kaq shumë ndikim, nuk ka shpjegim ndryshe përveçse vazhdon shteti i Serbisë të qëndrojë prapa tij”, tha kreu i Vetëvendosjes.

Po ashtu, kujtojmë se Cakaj ka qenë një ish-aktivistë i VV-së vite më parë.

Një tjetër moment ishte edhe takimi me Besa Shahinin, e cila ndryshe nga Cakaj ishte më e ‘ftohtë’ në qëndrimin e saj.

Ajo është bashkëshortja e  Dardan Molliqajt, ish deputet i VV-së, aktualisht anëtar i partisë kundërshtare, PSD.

Një tjetër moment i komentuar nga ceremonia janë flamujt që u përdorën nga qeveria shqiptare.

Në hollin e konferencave, ranë në sy dy flamujt kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujtojmë se Vetëvendosje është e njohur për qëndrimet e saj lidhur me flamurin e Kosovës dhe atij kombëtar, kuq e zi, sapo u shpall zyrtarisht kryeministër i Kosovës, Albin Kurti zgjodhi të heqë flamurin shqiptar dhe të gjitha simbolet identifikuese kuqezi jo vetëm nga ambientet e kabinetit qeveritar, por edhe nga veshja e tij dhe ministrave.

Për të përforcuar këtë fakt, flamuri i Kosovës valëvitet edhe në makinën nga e cila zbriti Kurti në Pallatin e Brigadave.

Të fundit