Flash News

KRYESORE

Tritol pranë lokalit në Laç, pronari i drejton pistoletën gazetarit në vendngjarje: Po e publikove, do kemi punë bashkë!

Tritol pranë lokalit në Laç, pronari i drejton pistoletën

Një tjetër gazetar është kërcënuar me armë zjarri mëngjesin e sotëm. Korrespodenti i Report tv u kërcënua me armë nga pronari i lokalit, pranë të cilit mëngjesin e sotëm pati një shpërthim tritoli.

Sipas policisë, lokali është në pronësi të Llesh Burakut, 53 vjeç, banues në Laç, i cili dyshohet të ketë qenë edhe objektivi i shpërthimit, fatmirësisht vetëm me dëme materiale.

Siç raporton Report tv, gazetari Julian Shota është kërcënuar nga pronari, ndërsa po filmonte në vendin e ngjarjes.

Ai ka deklaruar se Buraku , i cili njihet edhe si një personazh i njohur për policinë, i ka kërkuar të mos filmojë, ka filmuar me telefon automjetin e gazetarit, duke e kërcënuar se nëse do ta transmetojë ngjarjen në televizion, do ketë punë me të.

Si të mos mjaftonte kërcënimi i hapur, Llesh Buraku ka nxjerrë edhe një armë zjarri tip pistoletë, të cilën ia ka drejtuar gazetarit, duke e kanosur me jetë. Në atë moment kanë ndërhyrë disa të afërm të të riut, duke i bllokuar krahun për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës. Nën kërcënimin e armës, Buraku ka kërkuar që t'i dorëzojnë edhe telefonat.

Ai ka treguar po ashtu se në vendin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë efektiv policie, ndërsa shefi i komisariatit të Laçit, Erdit Rreçeku, i kontaktuar nga gazetarët për ngjarjen e rëndë, është përgjigjur se ndodhet me pushime. "Jam me leje. Të fala", ka qenë përgjigja e kreut të policisë së Kurbinit.

Të fundit