Flash News

KRYESORE

Trump flet për gazsjellësin ‘TAP’ në konferencën me Conte, por deklarata e tij krijon më shumë paqartësi mbi projektin

Trump flet për gazsjellësin ‘TAP’ në konferencën

Çështja e gazsjellësit Trans-Adriatik është ngritur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët në ‘Shtëpinë e Bardhë’ midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte.

Gazetari pyeti Conte-n se cili është qëndrimi i qeverisë së tij për TAP në një kohë kur DASH ka kërkuar vijimin e realizimit të projektit, ndërsa në Itali ka kundërshti nga autoritetet lokale. Kryeministri italian ishte i qartë kur tha se Roma e kupton rëndësinë strategjike të këtij projekti për të gjithë Mesdheun dhe jugun e Europës dhe se qeveria do të punojë me autoritetet në Itali për të ngushtuar diferencat.

“E kam diskutuar këtë (TAP) me presidentin Trump dhe i thashë se qeveria ime është plotësisht e vetëdijshme për faktin që kjo është një punë strategjike në termat e furnizimit me energji për Italinë, jugun e Europës dhe zonën e Mesdheut. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për faktin se kjo mund të japë një kontribut edhe në rinovimin e sistemit energjetik dhe eliminimin e thëngjillit, i cili është pjesë e programit tonë. Dhe në të njëjtën kohë, unë e informova Presidentin Trump se ka disa paqartësi nga komunitetet lokale, komunitetet ku tubacioni do të kalojë. Meqenëse problemet duhet të ballafaqohen drejtpërsëdrejti dhe të mos përpiqemi t'i shmangemi, sapo të kthehem në Itali, sa më shpejt që të jetë e mundur, do të diskutoj çështjen me ministrat kompetent dhe unë do të shkoj të takoj kryebashkiakët, komunitetet lokale, për t’u përpjekur për të gjetur një zgjidhje e cila do të marrë parasysh shqetësimet e komuniteteve lokale”, u shpreh Conte në konferencë.

Edhe Trump foli për të njëjtën çështje, por ndryshe nga Conte, ai nuk ishte i qartë në deklaratën e tij duke u fokusuar kryesisht te një “gazsjellës konkurrues”.

“Derisa gazsjellësi është një shqetësim, unë do doja të shihja një gazsjellës konkurrues. Këshu që, zoti kryeministër, shpresoj se do të jeni në gjendje ta bëni këtë gazsjellës konkurrues”, deklaroi Trump.

Nga kjo deklaratë është e vështirë të kuptohet nëse Trump kërkon ndërtimin e TAP si një gazsjellës konkurrues me linjat e tjera që sjellin në Europë gazin rus, apo sugjeron që Italia të paraqesë një tjetër projekt gazsjellësi që konkurron TAP-in, nëse ky i fundit nuk ndërtohet.

Ndërtimi i linjës që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë është pothuajse në përfundim të tij në rajonin e Ballkanit. Në Greqi dhe Shqipëri puna po ecën me ritme të shpejta dhe projekti pritet të përfundojë brenda afateve, ndërkohë që në Itali ende nuk janë të qartë për vendimin që do të merret.

Të fundit