Flash News

KRYESORE

Trupi i albanologut Robert Elsie niset drejt Alpeve, ceremoni e veçantë edhe nesër në Theth

Trupi i albanologut Robert Elsie niset drejt Alpeve, ceremoni e

Kanë përfunduar homazhet në Bibliotekën Kombëtare, në nderim të albanologut të shquar Robert Elsie, i cili u nda nga jeta më 1 tetor, në moshën 67-vjeçare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me ambasadën tonë në Gjermani ndoqën të gjitha procedurat e nevojshme për transportin e trupit të Robert Elsie në vendin tonë. MEPJ në bashkëpunim me strukturat lokale kanë bërë të mundur që Robert Elsie të prehet në Theth, atje ku ishte dhe dëshira dhe amaneti i tij.

Trupi i tij mbërriti sot në Aeroportin e Rinasit, në orën 11:30, ndërsa Biblioteka Kombëtare hapi dyert për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00. Ceremonia e përcjelljes për në Shkodër u zhvillua në Bibliotekën Kombëtare, në orën 16:00.

Nesër në Theth do të organizohet një ceremoni e veçantë para varrimit, në orën 14:00, në nder të përkushtimit dhe dedikimit që ai pati ndaj vendit tonë, traditave dhe gjuhës sonë amtare duke lartësuar vlerat, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Robert Elsie do të prehet me kostum popullor shqiptar.

Fotografi Roland Tasho i ka dërguar familjes së tij një kostum të zonës së Shkodrës, me të cilin është veshur trupi i pajetë i albanologut. Ai do të prehet në Theth, ashtu siç edhe e ka lënë amanet albanalogu. Një gjë e tillë është konfirmuar nga miku i tij, Artur Metani, i cili ka qenë një ndër miqtë e tij më të afërt  dhe që e ka shoqëruar më 25 vite në udhëtimet e tij në Shqipëri.

Në vitin 1978, Robert Elsie vizitoi Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ka marrë pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Ka qenë anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

 

 

 

 

Të fundit