Flash News

E-TJERA

Turqia paralajmëron Shqipërinë për Lëvizjen Gylen: Do u prishë qetësinë

Turqia paralajmëron Shqipërinë për Lëvizjen Gylen: Do u

Ministri turk i Bujqësinë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, ka paralajmëruar Shqipërinë për rrezikun që i vjen sipas tij nga Lëvizja Gylen, të cilën presidenti Erdogan e akuzon për tentativën për grusht shteti më 15 korrik në Turqi.

Çelik realizoi dje një vizitë zyrtare njëditore në Shqipëri, ku krahas takimeve me drejtues të lartë të vendit, mori pjesë edhe në Forumin e Agrobiznesit Shqipëri-Turqi. Ministri Çelik, duke folur për Anadolu Agency (AA), ka dhënë disa vlerësime për vizitën dhe takimet e tij në Shqipëri, si dhe për Lëvizjen Gylen.

"E ngrita si shqetësim edhe gjatë fjalimit tim në forum", tha Çelik dhe më pas shtoi se edhe gjatë takimeve në kuadër të kësaj vizite, ai ka vënë theksin tek çështja e Gylen.

Ministri thotë se iu ka përcjellë detajet zyrtarëve shqiptarë që tregojnë se sa e rrezikshme dhe tinzare është organizata e Gylen dhe në vijim ka shtuar: "Momentalisht këtu ka një qeveri me koalicion. Së afërmi do të ketë edhe zgjedhje. Por pashë që zyrtarët shqiptarë janë të ndjeshëm në këtë çështje."

Ai thekson se çështja e Lëvizjes Gylen është diskutuar shpesh në takimet e zyrtarëve dhe drejtuesve të lartë të dy shteteve në Ankara dhe Stamboll. Ministri në vijim shton se si Ambasada e Turqisë në Tiranë ashtu edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Turqi-Shqipëri, Yusuf Slahattin Beyribey, ende vazhdojnë takimet dhe bisedimet në lidhje me këtë çështje.

Çelik ka theksuar se Turqia ndjeshmërinë e çështjes e ka ngritur në të gjitha takimet e niveleve më të larta, duke vënë në dukje se Shqipëria është një nga qendrat e paqes në rajon dhe se stabiliteti dhe qetësia e këtij vendi është e rëndësishme edhe për rajonin.

Turqia nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë shteti dhe jo më në vende si ato të Ballkanit që nuk ka patur veprime të tjera, thekson Çelik dhe shton: "Turqia ndihmon në mënyrë që stabiliteti të jetë mbizotërues në të gjitha vendet fqinje, të gjitha vendet mike dhe vëllazërore. Dua që i gjithë populli shqiptarë këtu të dijë një gjë: Ndihma jonë ndaj tyre si do që të jetë puna do të vazhdojë, madje në çdo fushë."

Të fundit