Flash News

KRYESORE

U fotografua në Asamblenë e PS, deputeti i LSI pranon pjesëmarrjen dhe apelon socialistët: Mësoni si bëhen veprat e mëdha!  

Ditën e sotme Partia Socialiste mbajti Asamblenë me anëtarët socialistë, ku u raportuan për punën e kryer dhe të pakryer që nga shtatori i 2017-ës e deri më tani nga qeveria “Rama 2”, tashmë të vetëm në timon.

Duket se paparacët kanë mundur të fotografojnë teksa hyjnë në ambientet e Hotel Tirana edhe eksponentë që nuk janë pjesë e “bluzave rozë”.

Bëhet fjalë për deputetin e LSI, Përparim Spahiu, i cili është parë duke hyrë në ambientet ku u mbajt Asambleja në të njëjtën kohë me kolegët socialistë.

Sipas “Panorama”, deputeti ka pranuar që ka qenë pjesë e personave që kanë hyrë në atë kohë në Hotel Tirana, por ka sqaruar se ka marrë pjesë në një tjetër aktivitet që zhvillohej një kat më sipër.

“Jam “një kat më lart”, ku zhvillohet një aktivitet nga Shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibran, jepet titull nderi nga bashkia Dibër inxhinierit Shaban Bitri.

Por do ftoja të gjithë asamblistët e PS të merrnin pjesë në këtë aktivitet, do të mësonim si ndërtohen vepra të mëdha publike , si hidrocentrali i Fierzës, ku inxhinieri ka dhënë kontributin e tij… por dhe ura e vepra te tjera të rëndësishme, të gjitha këto janë ndërtuar pa PPP”, u shpreh deputeti i LSI.

Kujtojmë se edhe deputeti Robert Bitri i LSI ka bërë lëvizje të dyshimta muajt e fundit, i cili nuk është bërë pjesë e nismave të opozitës së bashkuar, duke mos bojkotuar komisionet parlamentare dhe seancat në Kuvend, ndonëse deputeti  ka sqaruar një herë e mirë se nuk është sinjal për një mundësi zgjedhje dhe kalimi me PS.

Të fundit