Flash News

KRYESORE

U kërcënua me padi, “njeriu i memeve” flet nga Londra: E nisa me Ramën. Nuk më tremb Bregu

Ditën e sotme Genc Sejko, i njohur si “njeriu i memeve” që nëpërmjet fotove dhe sarkazmës së tij “thumbon” politikanët, u kërcënua me padi nga Majlinda Bregu.

Shkak u bë një foto-montazh i Sejkos, ku kishte bërë bashkë Bregun me disa drejtuese të shoqatave në mbrojtje të grave, dhe shkruante, “Ju që merrni miliona për mbrojtjen e gruas, kur do flisni?”. Kjo meme e Sejkos ngjalli reagimin e Majlinda Bregut, e cila në  koment i përgjigjej ashpër: “Të mos isha në mes të një hidhërimi për përcjelljen në botën tjetër të një mikeje të shtrenjte, sot do të padisja ty Genc Sejko!”.

I pyetur nga Politiko.al, Sejko shprehet se nuk është trembur nga kërcënimi me padi i Bregut. Ai tregon se dhe më herët është kërcënuar nga të tjerë. Sejko shton se nuk ka asgjë personale me individët, por është i detyruar të merret me to pasi janë ata që shkaktojnë fenomenet.

Ndërsa i pyetur se si nisi e gjithë “veprimtaria” e memeve, Sejko tregon se ka qenë rastësi dhe fotoja e parë e montuar ishte e kryeministrit Edi Rama.

Intervista e Genc Sejkos për Politiko.al

Njiheni si “njeriu i memeve” në Shqipëri, si ishte fillimi?

Filloi krejt rastësisht me një foto të Ramës me qingj në dorë në përmbytjet në jug të vendit. Në 2015-ën në mos gabohem. Mu kujtua një ikonë e Jezusit në të njëjtën pozë. Vetëm i vura bashkë pa tekst. Nganjëherë fjalët janë të tepërta. Aty filloi. Pastaj jam munduar të përcjell atë që shoh unë nëpërmjet sarkazmës si mënyra më e mirë për të dhënë një mesazh ndryshe.

Foto-montazhi i parë i Sejkos

Kush janë politikanët që të frymëzojnë më shumë për meme?

Nuk frymëzohem nga asnjë politikan por nga fenomenet. Shpesh më thonë merru më fenomenin jo me individin. Por jam i detyruar të merem me individin për sa kohë individi shkakton fenomenin.

Ka patur raste që të kanë kërcënuar me padi (veç atij të sotëm)?

Më kanë kërcënuar me mjete të tjera, por kjo e sotmja ishte risi.

Çfarë doni të thoni “me mjete të tjera”?

Më kanë kërcënuar në inbox duke përmendur emrat e familjareve të mi për të më treguar se më njohin kush jam.

Jeni kërcënuar nga politikanë?

Jo. Por të shtyrë nga ata besoj. Sepse kur të thone ‘o bir k*rve rri aty ku je e mos u merr me Ramën’ dhe në mes të përmendin edhe njerëzit e familjes me emër, është normale të mendosh që është shtyrë nga dikush.

 A u trembët nga komenti për padi i Majlinda Bregut?

Nuk me tremb asgjë. Ajo që bëj është e drejtë në gjykimin tim. Po të më tregojnë se jam gabim nuk e kam problem të tërhiqem. Por nuk më influencojnë kërcënimet në atë që bëj. Madje shtojnë më shumë dëshirën për të “bërë diçka”.

Politikani që s’i ke bërë dhe s’do i bëje meme?

Nuk kam kalë në garë në Shqipëri. Nuk kam lidhje me asnjë parti. Kjo nuk është çështje politike. Nuk ka politikan që nuk do t’i bëja meme përveç atyre që kanë “vdekur” politikisht. Nuk bëj meme për Fatos Nanon as Berishën, e shumë të tjerë që në gjykimin tim nuk janë më në pozicionin e vendim-marrësit. Kam goditur majtas dhe djathtas. Më shumë majtas. Kjo pasi ajo është sot në pushtet. Nesër do jetë e kundërta nëse PD-ja vjen në pushtet. Gjë që nuk mendoj se do ndodhi.

Pse mendon që s’do të ndodhë?

Në gjykimin tim opozita e sotme është shumë liberale karshi qeverisë. Nuk mund të sillesh si europian kur ke përballë një diktaturë. Ndoshta Basha ka ardhur shumë herët në PD. Në Shqipëri nuk e kemi akoma atë kulturë politike që mendon të instalojë Basha. Prandaj ne dhe shumë shqiptarëve të tjerë na duket sikur Basha fle gjumë.

Njerëzit janë kuriozë të dinë, me çfarë merreni në të përditshmen tuaj?

Unë jetoj prej vitesh në Londër. Kam një biznes të vogël që më jep kohën dhe pavarësinë e duhur për t’u marrë edhe me atë që ndodh në atdhe.

E mendoni kthimin?

Jeta ime është këtu. Kam 20-vjet në Londër. Nëse kthehem, kthehem si pensionist për të jetuar vitet e fundit në vendin ku do doja të prehesha. Por politika nuk na jep dot as një varr. /Xhuliana Jakimi-Politiko.al/ 

Të fundit