Flash News

KRYESORE

U nisën nga Greqia, ndjekje nga ajri dy gomoneve; detaje nga operacioni i policisë

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Frontex, GDF dhe rojën bregdetare ka zhvilluar një operacion për gjurmimin dhe ndjekjen e dy mjeteve lundruese gomone që ishin nisur nga shteti grek, në drejtim të brigjeve shqiptare.

Operacioni ka nisur pas informacionit të marrë dje pasdite, për dy gomonet që ishin pikasur në Korfuz nga avioni i Forntex-it, duke lundruar drejt ujërave shqiptare.

Mësohet se operacioni ka vijuar nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Delta Forcë dhe Guardia di Finanza, roja bregdetare, si dhe nën koordinimin orientues të QNO Durrës, duke mbajtur kontakte edhe me avionin e Frontex-it që kryente ndjekjen nga ajri, me qëllim bllokimin e mjetit dhe kapjen e bordit që drejtonte gomonen.

Policia njofton se gjatë ndjekjes, një mjet lundrues është kthyer përsëri në ujërat greke, ndërsa mjeti tjetër lundrues tip gomone me 3 motorë të llojit "Yamaha", në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke përfituar nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës është braktisur nga ekuipazhi, pranë vendit të quajtur "Plazhi i Vjetër" Vlorë.

“Nga kontrolli i ushtruar në mjet nuk është gjetur asnjë send apo material i kundërligjshëm. Gjithashtu, nga të dhënat paraprake të avionit të Frontex-it që ka kryer ndjekjen nga ajri në bordet e gomoneve nuk janë konstatuar sende të tjera, përveç bidonëve me karburant. Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia.

Të fundit