Flash News

KRYESORE

"Ujmani do të quhet Liqeni Trump!", zyrtarja e BE: Mos është gjë 1 Prilli sot?

Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, ka reaguar pas vendimit për emërtimin e liqenit të Ujmanit si Liqeni Trump. Përmes një postimi në Tëitter, von Cramon ka kundërshtuar vendimin, i cili më parë u përshëndet nga i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me argumentin se dy vendet janë pajtuar me emrin e ri të liqenit.

Në reagimin e saj, deputetja e PE dhe njëherazi edhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, përveçëse e cilëson si një ide të pakuptimtë, ngre dyshime se Kosova po përdoret për fushatën presidenciale te Donald Trump, i cili kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është gjë sot 1 Prilli? Si mundet që dikush të japë diçka të tillë në shenjë mirënjohje për marrëveshjen? Thjesht pjesë e fushatës së Trump”, shkruan zyrtarja e bashkimit Evropian.

Në një deklaratë të mëhershme, i dërguari i Trump, Richard Grenell, u shpreh se emërtimi i liqenit ka qenë një çështje serioze e diskutimeve mes dy vendeve.

“Si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi ka qenë një pikë serioze diskutimi në dialog, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të bëhet një studim i fizibilitetit që të krijohen vende të reja pune në regjion. Andaj të dyja palët vendosën që ta quajnë: Liqeni Trump”, shkruan Grenell.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi se ka mirëpritur “propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”.

Të fundit