Flash News

KRYESORE

UN Women dhe UNICEF në Shqipëri për dhunën seksuale ndaj 15-vjeçares: Nuk ka justifikim dhe tolerancë ndaj përdhunimit!

UN Women dhe UNICEF në Shqipëri për dhunën seksuale ndaj

UNICEF dhe UN Women në Shqipëri kanë shprehur shqetësimin mbi ngjarjen tronditëse të përdhunimit të 15-vjeçares nga ish-roja i shkollës 65-vjeçar.

Në një deklaratë për mediat, UNICEF dhe UN Women në Shqipëri u bëjnë thirrje institucioneve që të hetojnë krimet e tilla, duke vendosur një kulturë me tolerancë zero ndaj ngacmimit dhe abuzimit seksual. Gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre.

"Nuk ka justifikim dhe tolerancë ndaj përdhunimit!" thuhet në deklaratën për mediat.

Deklarata e plotë:

Tiranë, 2 qershor 2020- UNICEF dhe UN Women në Shqipëri janë shumë të shqetësuar nga lajmet e fundit për një rast tjetër të dhunës seksuale ndaj një vajze adoleshente. Dhuna seksuale e kryer ndaj kujtdo është një krim, ne jemi veçanërisht të shqetësuar për intensitetin me të cilin prek gratë, vajzat e reja dhe fëmijët. Kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve që të hetojnë krimet e tilla, duke vendosur një kulturë me tolerancë zero ndaj ngacmimit dhe abuzimit seksual. Gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale dhe media duhet të përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat, jo autorët e krimit. Kryesisht i bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë që të mos u kthejë shpinën atyre që u prekën nga kjo dhunë, të mos i fajësojë ata dhe të reagojë kundër abuzimit. Nuk ka justifikim dhe tolerancë ndaj përdhunimit!

Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshme në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, duke miratuar instrumentet kryesore për të drejtat e njeriut. Zbatimi i plotë i tyre, sot më shumë se kurrë, është thelbësor për të garantuar që të gjitha gratë dhe fëmijët mbrohen nga të gjitha format e abuzimit dhe shfrytëzimit. UNICEF dhe UN Women në Shqipëri do të vazhdojnë të mbështesin punën e institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile për të promovuar një mjedis të sigurt për gratë dhe vajzat, ku ato ndjehen të fuqizuara që të jetojnë të sigurta dhe të kenë përkrahje kur është e nevojshme, teksa abuzuesit vihen para drejtësisë.

Për informacione të mëtejshme lidhur me Konventat që Shqipëria ka miratuar, lutem vizitoni faqet e mëposhtme:

Konventa e OKB per te Drejtat e Femijeve

Konventa per Eleminimin e te gjitha formave te diskriminimit kunder grave

Konventa e Stambollit

Të fundit