Flash News

KRYESORE

Unesco, vizat dhe tani Interpoli, dyshja Thaçi-Haradinaj dështime spektakolare brenda pak vitesh

Unesco, vizat dhe tani Interpoli, dyshja Thaçi-Haradinaj dështime

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare prej vitesh rezulton një mision i dështuar. Goditjen e parë të madhe Prishtina e mori në vitin 2015-të, kur dështoi të anëtarësohej në UNESCO. Që prej atij viti, qeveritë kosovare nuk kanë bërë asnjë hap përpara në forcimin dhe rritjen e prezencës ndërkombëtare.

Në vitin 2017-të, Hashim Thaçi i hapi rrugë Ramush Haradinajt që të zgjidhej kryeministër i vendit, duke paralajmëruar se vetë do të zgjidhej president, skenar që u realizua më së miri. Por përveç interesave personale politike, kjo dyshe e politikanëve që drejtojnë Kosovën kanë arritur vetëm dështime spektakolare, brenda dhe jashtë vendit.

Qytetarëve kosovarë u premtohet prej kohësh liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, çka mendohej se do të ndodhte brenda 2017-ës, por një konflikti Haradinaj-Thaçi për demarkacionin me Malin e Zi e shtyu procesin. Edhe pse kjo çështje ka marrë zgjedhje dhe kufiri është përcaktuar tashmë, në Prishtinë ende shpresojnë se vizat do të hiqen të paktën në mesin e vitit 2019-të.

Anëtarësimi në Interpol ishte një tjetër objektiv i rëndësishëm i qeverisë së Haradinajt, por sot edhe kjo kërkesë nuk mori shumicën e votave nga bashkësia ndërkombëtare. Prishtina dështoi sërish të bëhej pjesë e organizatës së rëndësishme.

Ndërkohë, Hashim Thaçi i ka harruar prej kohësh premtimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të cilin fliste dy vite më parë.

Por situatë nuk pritet të ndryshojë për mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj edhe në të ardhmen e afërt pasi Thaçi dhe Haradinaj kanë qëndrime tërësisht të kundërta edhe sa i përket marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Qeveria e Haradianjt mbahet në këmbë vetëm falë votave të PDK-së, që ‘de facto’ drejtohet nga Thaçi. Një përçarje e mundshme e këtij koalicioni do të favorizonte kundërshtarët në opozitë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në.

Të fundit