Flash News

KRYESORE

Ushtria në aeroport, ministrja Xhaçka: Presidentin nuk e njoftojmë sepse nuk po shkojmë në luftë

Ushtria në aeroport, ministrja Xhaçka: Presidentin nuk e

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka thotë se ngjarja e 9 prillit në aeroportin e Rinasit nuk e ka cënuar sigurinë kombëtare. Në një prononcim nga aeroporti, Xhaçka tha se nuk ka debat Kushtetues mbi dërgimin atje të forcave të armatosura dhe Presidenti i Republikës nuk është njoftuar për këtë lëvizje pasi Shqipëria nuk po shkon në luftë.

Ajo theksoi se gjysma e pistës së aeroportit është pjesë e ushtrisë, ndaj policia ushtarake e ka për detyrë marrjen e masave.

“Kemi vetëm cënim të një objekti të një rëndësie të veçantë, të rëndësisë së parë, i cili është edhe strukturë ushtarake. Gjysma e pistës është ushtarake dhe pjesa tjetër për përdorim civil. Është infrastrukturë kritike edhe e NATO-s. Nuk ka debat kushtetutes, nuk po shkojmë në luftë, nuk po diskutojmë dislokim të trupave. Policia jonë ushtarake e ka për detyrë, me sinjalizim të komandove dhe jo të ministres apo presidentit”, tha Xhaçka.

Ministrja iu përgjigj edhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili e ka akuzuar për shkelje të Kushtetutës me vendosjen e ushtrisë në aeroport, pa autorizimin e Kuvendit.

“Lulzim Bashës nuk i mësojmë dot Kushtetutën, sepse po ta kishte lexuar siç duhet nuk do të kishte djegur si kalli mandatet”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes u ritheksoi se marrja e masave po bëhet për të shmangur ngjarje më të rënda që do të kërcënonin sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, Presidenti Meta i ka kërkuar sot informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së ushtrisë në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’. Ai e konsideroi dje ngjarjen në Rinas si kërcënim serioz të sigurisë kombëtare.

Të fundit