Flash News

KRYESORE

Valë e madhe largimesh nga Vizion Plus, spikeri i lajmeve kalon te TV Klan

Pas largimit të bujshëm të Turjan Hyskos, i cili mori me vete në Klan Plus edhe aktorët e humorit të “Apartamentit 2XL”, Vizion Plus ka humbur edhe një nga spikerët e tij kryesor. Spikeri i lajmeve, Edvin Peçi ka njoftuar se pas 15 viteve do të në këtë stacion televiziv, do të nis një aventurë të re të televizioni Klan Plus, që administrohet nga pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj.

Përmes një statusi në rrjetet sociale me titullin “Plusi mbetet, Vizioni jo”, Peçi vlerëson eksperiencën tek Vizion Plus, ndërsa nuk le pa falënderuar edhe drejtuesit e televizionit të ri, duke filluar nga Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku dhe Mentor Kikia.

“Dua të falenderoj realisht shumë të gjithë ata që besuan tek unë, që nga krijuesi dhe strategu i grupit mediatik Klan, Aleksandër Frangaj, gazetari me jashtëzakonisht shumë eksperiencë dhe drejtuesi e menaxheri që ka nxjerrë e orientuar pafund gazetarë, Armand Shkullaku, gazetari me shumë eksperiencë, por edhe shumë buonsens Mentor Kikia, e gjithashtu drejtuesi më i ri i këtij televizioni, por bashkëudhëtari i vjetër e i vyer, Turjan Hyska. Falenderime e mirënjohje edhe për të gjithë kolegët e bashkëpunëtorët e 8 viteve (me një shkëputje në mes) te Vizion Plus, që më ndihmuan të rritesha e të konsolidohesha profesionalisht, e padiskutim të mësoja më shumë, pasi në këtë profesion ke gjithmonë diçka për të mësuar çdo ditë. Patjetër që edhe unë çdo ditë jam përpjekur të jap maksimumin, nuk e di sa ia kam dalë. Tani, më mbetet të them, shihemi mbrëmjeve në Klan Plus!”, përfundon ai.

Drejt largimit është edhe gazetari i kronikës, Jul Kasapi për të cilin thuhet se është në tratativa me televizionin e ri A2, por ende nuk ka një konfirmim zyrtarë se në çfarë faze jane bisedimet.

Të fundit