Valter Glos: CDU e shqetësuar për demokracinë në Shqipëri. Nuk mund të vazhdohet kështu

Nga Liridon Cecja

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike, në bashkëpunim me aleatët, po ndiqet me kujdes nga fondacioni Konrad Adenauer me qendër në Tiranë. Kontaktuar nga Politiko.al, drejtori Valter Glos shprehet protestat janë element demokratik, që sjellin ndryshime pozitive në shoqëri.

Glos, pasi rendit problemet në vend, duke filluar nga korrupsioni i lartë deri te tentativat për kufizimin e lirise së mediave, zbulon se përfaqësuesit e CDU-së së kancelares Merkel, janë të shqetësuar me përkeqësimin e nivelit të demokracisë në Shqipëri.

Tha kreu i KAS:

Shqipëria është aktualisht në ujra të vështira politike. Përplasjet e dhunshme në Parlament janë dëshmitarë të krizës aktuale. Shumë vëzhgues ndërkombëtarë, por dhe deputetë të CDU-së të Bundestagut gjerman po shprehin shqetësime rreth gjendjes së demokracisë së re shqiptare.

Vëmë re se liria e mediave po tentohet te kufizohet nga ligje të reja, disa të drejta elementare të opozitës në parlament, si p.sh. e drejta për të folur dhe për t’u informuar, gjithashtu po lëndohen. Pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet dhe kjo do të vëzhgohet, veçanërisht në rastet që janë aktualisht në shqyrtim. Problemet shkojnë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni deri te problemet e mëdha me tenderat publikë. Eshtë e kuptueshme që opozita e sheh protestën si mjetin e fundit të aplikueshëm për ndryshime dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Protesta është një instrument i lejuar demokratik i një shoqërie të lirë demokratike për të sjellë ndryshime pozitive. Megjithatë, kjo e drejtë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe duhet të shmanget që të tjerët ose pasuria e të tjerëve të dëmtohen. Gjendja po bëhet keq e me keq dhe kështu nuk mund te vazhdohet me tej”, deklaroi Glos.

Përmes protestës, opozita kërkon krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër dhe me ministra të gjithëpranuar. Që të organizojë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, të lira dhe të ndershme.