Flash News

KRYESORE

Vandalizëm i turpshëm, FSHF tregon dëmet e Air Albania

Se shqiptarët shkojnë në stadium për të shfryrë nervat e përditshmërisë, pa harruar arsyet sportive, nuk do shumë mend për t'u kuptuar. Air Albania është impianti që tërheq shumë tifozë dhe kthehet në fitim për klubet, prandaj po preferohet shumë. Shumë ndeshje të Superiores po luhen aty, ndërsa turpi ndodhi në sfidën ndërmjet Kukësit dhe Tiranës, aty ku u dëmtuarn mbi 150 stola.

FSHF ka dalë me reagim zyrtar duke dënuar veprime të tilla. "Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër sjelljet e papranueshme dhe vandale të disa grupeve të tifozëve në ambientet e Air Albania Stadium gjatë ndeshjes Kukësi – Tirana, sjellje këto që nuk kanë asnjë lidhje me synimin tonë për t’i kthyer ndeshjet e kampionateve tona në festa futbolli. Këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin.

Pas verifikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit. FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i flakin ato në fushë duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve të ndeshjes si dhe futbollistëve.

FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit. Federata e Futbollit bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive.

FSHF u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozerive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin në cilëndo hapsirë sportive të vendit. Komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme duke marrë masa kundër këtyre shkelësve. Kërkojmë nga Policia e Shtetit që t’i shoqërojë personat përgjegjës në bazë të ligjit në fuqi, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozerive dhe u bëjmë thirrje që së bashku t’i kthejmë stadiumet tona në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna dhe aktet vandale", -shkruhet në deklaratë.

Të fundit