Flash News

KRYESORE

Vdekja e kryekomisar Hajdarmetajt nga tërmeti në Durrës, PD kërkon informacion zyrtar për 4 çështje

Kryekomisari Bajram Hajdarmetaj është një prej viktimave të tërmetit në Durrës. Kryekomisari që ndodhej në zonën e Kavalishencës në Durrës është gjetur nën rrënojat e godinës i pajetë, nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Pas kërkesës për informacion mbi mosveprimet lidhur me dy pallatet në Thumanë, me anë të një kërkese zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, i kërkon Edi Ramës dhe Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, informacion lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, ku humbi jetën kryekomisari Hajdarmetaj.

Në mënyrë zyrtare, PD kërkon informacion lidhur me këto 4 çështje:

  1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Ministria e Brendshme verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së Godinës Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e kësaj godine?
  2. A u verifikua Godina nr. 4 e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.
  3. A është vlerësuar nga drejtuesit e Godinës se nga konstatimet faktike, lidhur me dëmet e muraturës, objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë? Nëse po, kush ka urdhëruar përdorimin e Godinës dhe mbi çfarë baze është bërë kjo?
  4. A është lajmëruar stafi për gjetjet e ekspertëve dhe për sigurinë e godinës? Nëse po, lutemi na vini në dispozicion kopje të akt njoftimeve.

 

 

Të fundit