Flash News

KRYESORE

Vdekja e mjeshtrit të këngës dibrane, Basha: Ishte ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, vepra e tij trashgimi e përjetshme

Vdekja e mjeshtrit të këngës dibrane, Basha: Ishte ikonë

Nuk kanë munguar mesazhet e politikës pas vdekjes së mjeshtrit të këngës dibrane, Qerim Sula. Në mesazhin e tij të ngushëllimit ndaj familjes Sula për humbjen e njeriut të saj të shtrenjtë, kryedemokrati Lulzim Basha po ashtu ka vlerësuar figurën e tij si, “ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, vepra e të cilit do të mbetet përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh”.

“Nuk mund ta përcjell këtë ngushëllim përveçse me një prej hymneve të Dibrës e mbarë Shqipërisë që ngren peshë shpirtin e çdo shqiptari patriot, sot e sa të jetë jeta. I lehtë i qoftë dheu!”, përmbyll mesazhin e tij Basha.

Mesazhi i plotë i Bashës:

Me hidhërim mora vesh për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula. Breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të Qerim Sulës, kësaj ikonë të këngës dibrane të shumënjohur në të çdo trevë ku flitet e këndohet shqip.

Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer muzikore nga legjenda Hazis Ndreu, interpretimi i këngës epike nga Qerim Sula mbushte me krenari çdo shqiptar, edhe në një kohë të vështirë kur kënga epike nuk shihej me sy të mirë nga diktatura, sepse i bënte hije përpjekjes shpirtvogël për ta zëvendësuar trashëgiminë muzikore të vendit me këngët për kultin e diktatorit. Këngët e Qerim Sulës ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfote mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav.

Qerim Sula i këndoi jo vetëm trimërisë së dibranëve përballë okupatorëve, ai i këndoi jo vetëm namit të mirë të kësaj trimërie, por ai i ngriti himn mbijetesës së kombit tonë. Në dy kohë, Qerim Sula dha modelin se si artisti nuk plaket, nuk del jashtë kohe, kur i mbetet besnik muzikës së vërtetë të popullit. Ngushëllimet dhe lutjet e mija shkojnë sot tek familja Sula që humbi njeriun e saj të shtrenjtë. Dibranët dhe mbarë shqiptaria ndahen sot nga kjo ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, por jo nga vepra artistike e Qerim Sulës që e përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh. Nuk mund ta përcjell këtë ngushëllim përveçse me një prej hymneve të Dibrës e mbarë Shqipërisë që ngren peshë shpirtin e çdo shqiptari patriot, sot e sa të jetë jeta. I lehtë i qoftë dheu!

Të fundit