Flash News

KRYESORE

Vdekja e Panairit të Librit  

Vdekja e Panairit të Librit  

Alfred Lela

 

...dhe vdekja nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe.

Të dielën në mbrëmje ra, për të njëzetën herë, kadifeja e kuqe e perdes së Panairit të Librit, një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të vitit në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. PL është një festë e disafishtë: e botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe lexuesve. Pavarësisht të metave, që e kanë shoqëruar në të gjitha edicionet, Panairi ia ka dalë të krijojë një shtjellë kulturore pa të cilën jeta shqiptare do të kishte qenë shumë më e varfër.

Edicioni i këtij viti dha shenja të sigurta të asaj se Panairi, në këtë formë, brenda këtij kuptimi dhe në kufijtë e kësaj shtrirjeje, nuk mund të zhvillohet më.

Grahma nuk u duk vetëm te trafiku njerëzor që u dha në Panair sivjet, padyshim më i lehtë se në vitet paraardhëse. Nuk është as mungesa e bumit të titujve të rinj, qoftë të letërsisë së huaj apo shqiptare; nuk është as mungesa e emrave ilustrues, të këtushëm apo të përbotshëm. Këto të gjitha janë nga pak, sigurisht, por më shumë se të gjitha bashkë është çështje kohe, hapësire dhe koncepti.

Në kuptimin kohor, Panairi e ka mbushur dhe nuk mund ta zbazë më orën e rërës së vetes. 20 vjet kanë parë thuajse të njëjtin karusel që rrotullohet në të njëjtin vend. Kënaqësia e atyre rrotullimeve nuk është më e para.

Panairi dukej, këtë nëntor, si një gjë e vjetëruar, demodeja e vetes, e librit dhe e vizitorëve. Deja vu-ja e fiks të njëjtave stenda në palëvizshmërinë e të njëjtave pozicione, dhe ngrysjet e të njëjtave profile, nuk është një ftesë për një jamais vu.

E gjitha lidhet me hapësirën, në fund të fundit. Stendat e shtëpive botuese janë nguc e nguc në shpinë të njëra-tjetrës. Të mëdhatë duken se janë të favorizuara, por hapësira e tyre shndërrohet në iluzion sapo afrohesh në ato stenda, që nuk janë më shumë se banaqe. Librat nuk janë të ekspozuar, por të shtrirë. Në anën e brendshme të banaqeve janë të rreshtuar autorë, përkthyes, botues, redaktorë, korrektorë, të afërm të këtyre të gjithëve, të gjithë të shndërruar në shitës.

Botuesit e vegjël mund të konsiderohen si shitës ambulantë që shtyjnë karron e tyre në cepin më të errët, ku nuk i kap syri i Bashkiakes.

Të dyja këto, vjetërimi në kohë dhe mungesa e hapësirës, bëhen bashkë, në shtrëngesat dhe mungesat e tyre, në kërkim të konceptit. Më saktë të ndërrimit të tij.

Shoqata e Botuesve që e menaxhon Panairin, duhet të fusë kokën mes duarve për të krijuar një koncept të ri. Duhet ta kishte bërë në përvjetorin e 20-të, por edhe të fillojë dekadën e tretë me një stimul, nuk është vonë.

Rikonceptimi duhet të fillojë nga pyetja 'a i përmbush Pallati i Kongreseve nevojat, pritshmëritë, dobitë dhe ekzigjencat e një Panairi kombëtar të Librit?

Përgjigja do të ishte qartësisht 'jo', dhe zgjidhja duhej gjetur ,ose te një tjetër hapësirë, ose te ripërkufizimi i asaj të PK. Me këtë duhet kuptuar reduktimi i botuesve pjesëmarrës, duke lënë jashtë, pa asnjë dhimbjeje keqkuptime të lejuara, në këtë panair e të tjerë para tij, si stenda e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shoqatat e Miqësisë, Ambasadat, botimet fetare, mitomanët që janë shkrimtarë, botues, shpërndarës, recensentë dhe shitës.

Kjo do të thotë të kuptuarit e Panairit si hapësirë kulturore në fillim dhe tregtare më pas.

Nëse nuk ndahen këto dy koncepte, rikonceptimi nuk ndodh kurrë dhe jeta e xhambazhanes vazhdon e patrazuar në të vjetëruarin dhe të pamjaftueshmin Pallat komunist të Kongreseve.

Pjesëmarrja në Panair duhet të jetë në bazë të një seti kriteresh etike dhe estetike. Tregu çam i Librit nuk është më zgjidhja.

Ta konceptosh Panairin si hapësirë kulturore, do të thotë të bësh vend për këndin e medias, këndin e lexuesit dhe këndin e autorëve. Mungesa e dialogut dhe e konsultës mes lexuesve potencialë dhe botuesve, shkrimtarëve dhe editorëve, e dëmton procesin e afrimit të publikut te libri.

Pjesë e rikonceptimit duhet të jetë edhe braktisja e vajit të përvitshëm për mungesën e ndihmës shtetërore. Qeveria duhet mbajtur larg librit dhe larg nga çdo sektor tjetër. Sa herë burokratët fusin hundët në punë të kulturës, apo kudo tjetër, vetëm sa prishin punë. Shteti ka vetëm një detyrim: ose të shërbejë si mecenat direkt, ose të ulë taksat për mecenatin privat për të botuar klasikët e shqipes dhe (ndoshta!) të Letërsisë botërore.

Për çdo shkarrashkrues që e di veten shkrimtar, shteti nuk ka të drejtë të marrë nga lekët e taksave të publikut për të ngritur komisione, juri, çmime e premisa të tjera komuniste.

Të fundit