Flash News

KRYESORE

“Vdekjen nuk e kam frikë, se qentë si unë këtë përfundim meritojnë”, letra e Petrit Dumes për Mehmet Shehun

Publikohen dy letra të panjohura të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Petrit Dume, dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, që mbajnë datat 17 qershor dhe 16 tetor të vitit 1974, në të cilat bëhet fjalë mbi mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që Shefi i Shtatmadhorisë kishte me Ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, lidhur me punën e tyre disa vjeçare në krye të Ushtrisë dhe konceptet e tyre mbi tezat e Këshillit të Mbrojtjes,  etj.

Të gjitha akuzat e Dumes ndaj ministrit Ballluku, mendimet e dhëna nga ushtarakët e tjerë madhorë ndaj kontraditave të dy shefave të tyre, përgjigjia e Enverit ndaj letrës së Dumes, si dhe qëndrimi i Hysni Kapos e Mehmet Shehut ndaj letrës së Petrit Dumes, të cilën u’a dërgoi Enveri për t’u kërkuar mendimet e tyre?!

“Në këto materiale që mbrohen nga shoku Beqir, ka edhe pikëpamje të tjera të shtrembra e të rrezikshme, për të cilat si unë, ashtu dhe shoku Hito, e kemi ngritur vazhdimisht zërin para shokut Beqir, por nuk na ka dëgjuar dhe në këtë mënyrë ka influencuar që një numër i madh kuadrosh të njihen me këto pikëpamje. E rëndësishme është që në masën më të madhe të kuadrove materialet teorike që prekin konceptet tona, qoftë dhe në mënyrë të stërholluar, janë hedhur poshtë. Shumë herë e kam ngritur problemin para shokut Beqir se ne nuk kemi nevojë për teori të reja që s’shkojnë, se teoria jonë është e plotë, e qartë dhe e përshtatshme për kushtet tona, ashtu siç na porositi Partia dhe shoku Enver, puna dhe detyra jonë është që t’i vëmë ato në jetë. Ai në parim bie dakord, por vazhdon të ruaj në vetvete disa koncepte që s’puqen me tonat dhe që këto koncepte herë pas here i jep në kuadro dhe në grupe të ndryshme për t’i përpunuar”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër dërguar Enver Hoxhës, nga Petrit Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që mban datën 17 qershor të vitit 1974, ku ai mundohet të sqarojë Komandantin e Përgjithshëm, lidhur me mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që kishte me ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, të cilat kishin filluar prej vitesh. Letra në fjalë e ish-Shefit të Shtatmadhorisë, Petrit Dume, përkon me periudhën kur Enver Hoxha sapo kishte filluar goditjen ndaj ministrit Balluku, (që prej vitesh mbante edhe postin e zv/kryeministrit të pare në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu), goditje e cila filloi në aktivin e Ushtrisë që u mbajt në qershor të atij viti në ish-vilën e Zogut në qytetin e Durrësit, për ta përjashtuar më pas nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore në Pleniumin e Komitetit Qëndror të PPSH-së që u mbajt më 25 korrik, duke e akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”, gjëra të cilat i paraprinë arrestimit të tij më 7 dhjetor, kur ai ishte i internuar në Selenicë të Vlorës. Dhe në të gjithë këtë periudhë kohore të proçesit të goditjes së Ballukut në gjysmën e dytë të vitit 1974, në mënyrë paranojake, duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet dhe kontraditat që tre  krerët më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes kishin në mes tyre, Enveri përdori dy zëvëndasët e tij, Petrit Dumen dhe Drejtorin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Hito Çakon, duke “i ndërsyer” ata fillimisht ndaj Ballukut dhe më pas do t’i akuzonte edhe ata si bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij! Në këtë kontekst, janë dhe dy letrat e Petrit Dumes dërguar Enver Hoxhës, të cilat mbajnë datat më 17 qershor dhe 16 tetor të vitit 1974, të cilat Memorie.al i publikon të plota duke filluar nga ky numër, së bashku dhe me korrespodencën e Enverit me Hysni Kapon e Mehmet Shehun, të cilëve ai “u kërkonte mendim”, për dënimin e Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos!

Të fundit