Flash News

KRYESORE

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” Presidentit të PE, David Sassoli: Sot gjeta një qytet evropian

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli u takua sot paradite me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Në këtë vizitë, e cila përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Presidenti Sassoli tha se Shqipëria është gati për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shtoi se  Tirana është “pasaporta” më e mirë e vendit në Europë dhe në botë.

Kam ardhur këtu para shumë vitesh dhe sot gjej një qytet evropian. Është një qytet i gjallë, me investime ngado, plot me ide, me një kryebashkiak të aftë. Të kesh një ide për të ardhmen, ky është imazhi që përçon sot Tirana, dhe kjo është një vlerë për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ne, duke qenë se jemi të bindur që Shqipëria është gati për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Tirana është ‘pasaporta’ më e mirë e Shqipërisë në botë dhe në Evropë”, theksoi Sassoli.

Presidenti i PE-së nënvizoi se Shqipëria është gati për proceset e integrimit.

“Ka një këndvështrim të përbashkët, që është jo vetëm integrimi që shpresojmë të bëhet shumë shpejt realitet, por mbi të gjitha i një trashëgimie të përbashkët që quhet Evropë dhe që duam ta bashkërendojmë me Shqipërinë. Unë kam parë një qytet evropian, që paraqitet si një qytet evropian dhe ky për ne është imazhi më i mirë që një qytet mund të japë. Jemi të sigurt se Shqipëria është gati për këtë proces, është vetëm çështje e disa burokracive, por ka një frymë që na përket dhe është e përbashkët”, deklaroi Sassoli.

Në shenjë të miqësisë, kryebashkiaku Veliaj i dhuroi Presidentit Sassoli “Çelësin e Qytetit”.

Gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Tiranës, kryetari Erion Veliaj njohu Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli me transformimin që ka pësuar sheshi “Skënderbej”, si dhe me një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet, njofton zyra e shtypit e bashkisë Tiranë.

Të fundit