Flash News

KRYESORE

Veliaj kërkon rritjen e çmimit të ujit, kompania rrit pa justifikim numrin e punonjësve dhe harxhon miliona me reklamat

Veliaj kërkon rritjen e çmimit të ujit, kompania rrit pa

Një projektvendim i Këshillit të Bashkisë Tiranë i publikuar nga këshilltarët e Partisë Demokratike në opozitë tregon se Ujësjellës Kanalizime SH.A, kompania nën pronësinë e bashkisë Tiranë që është përgjegjëse për furnizimin me ujë dhe heqjen e ujërave të zeza, ka kërkuar një rritje drastike të çmimit të ujit për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Çmimi i ujit sipas propozimit duhet të rritet për konsumatorët familjarë nga 45 lekë për metër kub që është sot në 65 lekë për metër kub në vitin 2018, me një rritje prej 44%. Për konsumatorët biznes çmimi parashikohet të rritet nga 135 lekë për M3 në 235 lekë ose me një rritje 74 për qind. Për konsumatorët buxhetorë çmimi kërkohet të rritet nga 120 në 170 lekë ose 41 për qind. Përveç kësaj, UKT kërkon që tarifa fikse mujore, e cila nuk varet nga niveli i konsumit, të rritet me 100% nga 100 lekë që është aktualisht në 200 lekë. Administrata e Bashkisë thotë se rritja e çmimit do të mundësojë kryerjen e investimeve të nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me ujë 24 orë rreth vitit 2021.

Shifrat e dhëna nga Veliaj për orarin e furnizimit me ujë në fakt janë në ndryshme nga shifrat e dhëna nga Enti Rregullator i Ujit, institucioni që mbikëqyr tregun. Sipas raportit vjetor të performancës të vitit 2016 të ERRU, Tirana është furnizuar gjatë vitit 2016 me mesatarisht 10.83 orë në ditë dhe furnizimi ka njohur një përkeqësim të lehtë në krahasim me vitin 2014, kur ka qenë 11.04 orë në ditë. Këto janë shifra shumë të ndryshme prej atyre të pretenduara nga Veliaj për 7 orë furnizim “kur e la Basha” dhe 13 orë furnizim aktualisht.

Ndonëse bashkia pretendon se rritja e çmimit synohet të bëhet për të mbuluar kostot e investimeve, plani i biznesit të ujësjellësit i parë nga BIRN duket se synon thjeshtë të rrisë të ardhurat pa menduar për uljen e kostove operative dhe mirëmenaxhimin. Ndryshe nga sa pretendoi Veliaj në vitin 2015 për shkurtim të numrit të punëtorëve në ujësjellës, punonjësit e UKT janë në rritje dhe aktualisht numri i tyre është i njëjtë me numrin që kompania kishte “në kohën e Bashës”. Ujësjellësi është akuzuar gjithashtu nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për keqpërdorimin e miliona eurove përmes procedurave të prokurimit të dyshimta, të kryera pa garë dhe me çmime krahasimisht më të larta se sa më parë. Për më tepër, plani i biznesit shpreh dëshirën e drejtuesve të kompanisë për të shpenzuar miliona lekë reklama si një fond “i marrëdhënieve me publikun”, shpenzime që nuk kanë asnjë kuptim për shkak se Ujësjellësi është një monopol që ofron një mall të pazëvendësueshëm dhe për rrjedhojë, nuk ka nevojë për reklamë.

Konsumatorët paguan dy palë punonjësish

Pushimet nga puna të vitit 2015 nuk është se nuk u paguan. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto pushime të administratës së re qenë dukshëm në kundërshtim me kodin e punës dhe pak a shumë të gjithë punonjësit u paraqitën në Gjykatën Administrative, e cila dha kompensimet përkatëse në paga. Sipas raportit të KLSH, gjatë vitit 2016 u hapën 211 procese gjyqësore. Deri në çastin që u hartua raporti i KLSH, 33 procese gjyqësore janë mbyllur në të gjitha shkallët me një kosto për konsumatorët e ujit prej 21.4 milionë lekë. Në total, parashikohet se mbi 68 milionë lekë (afro gjysmë milioni euro), do t’i kushtojnë konsumatorëve të ujit pushimet e padrejta nga puna dhe këto janë kosto krahas pagave të të punësuarve të rinj.

Miliona për reklama

Ndoshta shpenzimi më i çuditshëm i planifikuar nga plani i biznesit të ujësjellësit është shpenzimi për “marrëdhëniet me publikun”. Plani i biznesit shkruan: “Zëri i shpenzimeve për Marrëdhëniet me Publikun është llogaritur në bazë të një strategjie që synon të mbështesë dhe promovojë shërbimet e UK Tiranë tek publiku dhe të prezantojë objektivat dhe synimet kryesore të Shoqërisë. Duke pasur parasysh se kostot për Fushatat e Marrëdhënieve me Publikun ishin afërsisht 25 lekë për lidhje në vit dhe duke marrë në konsideratë edhe rëndësinë që ka ky zë për një shoqëri ujësjellës-kanalizime në madhësinë e UK Tiranë (më e madhja në Shqipëri), drejtuesit e Shoqërisë kanë parashikuar një rritje të kostove të Marrëdhënieve me Publikun duke buxhetuar një shpenzim prej 167 lekë për lidhje në vit për periudhën 2017-2021”.

Totali i shpenzimeve të planifikuara për reklama nuk jepet, por ujësjellësi përdor dy kritere në raportimin e “numrit të lidhjeve”, njëra është lidhjet e furnizimit me ujë, rreth 230 mijë, si dhe numri i lidhjeve me ujë dhe kanalizime rreth gjysmë milioni. Ky është një zë i çuditshëm për shkak se ujësjellësi dhe kanalizimet janë një monopol publik dhe njëkohësisht janë mallra të domosdoshëm, rrjedhimisht nuk kanë nevojë për reklamë. 

*Marrë me shkurtime nga BIRN.

Të fundit