Flash News

KRYESORE

Veliaj: Tirana do të ringrihet, familjet me shtëpi të pabanueshme të aplikojnë për qira 1 vjeçare

Bashkia e Tiranës është kujdesur që dhjetëra familje që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit në kryeqytet, të strehohen në qendra sociale. Aty, përveç ushqimit të ngrohtë, u shërbehet edhe për çdo nevojë tjetër.

Vëmendje u kushtohet edhe fëmijëve, për të cilët organizohen lojëra e aktivitete të ndryshme, që i ndihmojnë në kalimin sa më lehtë të situatës. Drekën e sotme kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e kaloi me familjet e strehuara në qendrën sociale “Qëndrojmë së bashku” në Kombinat, ku ai shërbeu ushqim dhe kaloi disa çaste me fëmijët.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme, që të aplikojnë sa më parë për qira 1 vjeçare, derisa të zgjidhet çështja e strehimit të tyre.

“Duke qenë bashkë dhe duke mbaruar të gjitha detyrimet e para të emergjencave, do të kemi kohë që të përkushtohemi tek rindërtimi. Kemi çuar formularët për bonusin e qirasë në njësitë administrative, edhe tek Njësia 6. Pasi të mbarojmë drekën, secili do të shkojë ta firmosë; pra, kujt i është shpallur shtëpia e pabanueshme, duhet të plotësojë formularin, dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kësaj jave, jemi të përgatitur të paguajmë deri në 2 mijë familje. Kemi më pak, por deri në 2 mijë kemi marrë masat në buxhet, që t’i paguajmë një qira, me çmimin e tregut, pa asnjë diferencim”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Tirana do të dijë të ringrihet falë solidaritetit që kanë treguar qytetarët e saj, si dhe angazhimit të të gjitha strukturave. “Jam i bindur se po ndenjëm bashkë, siç kemi qenë këto 7 ditë, nuk ka asnjë tërmet që na vë poshtë. Jam i bindur se Tiranën do ta ngremë edhe më të fortë, më solidare. Jo vetëm më të fortë në ndërtesa të reja, që do të zëvendësojnë karakatinat e vjetra që i prishi tërmeti, por edhe më të fortë si karakter dhe si shpirt të Tiranës”.

Të fundit