Flash News

KRYESORE

“Veliera”, rinisin punimet në Zonën Arkeologjike A, arkeologjia në rrezik

“Veliera”, rinisin punimet në Zonën Arkeologjike A,

Që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, vendosi që të ndërpresë punimet në zonën ku u zbuluan strukturat arkeologjike, tek sheshi në ndërtim “Veliera”.

Teksa vendimi më i fundit e kësaj gjykate mbi vijimin e punimeve në këtë shesh, nuk është zbardhur ende, firma private që po zbaton projektin, gradualisht prej dy javësh ka nisur punimet në Zonën Arkeologjike A, që i ndalon ndërhyrjet në nëntokë.

Nga monitorimi dyjavor i Amfora.al, konstatojmë se një shtresë prej betoni është vendosur përbri rrugës dhe zbulimeve arkeologjike. Ndërsa ndërhyrja më e madhe po bëhet përbri Torrës Veneciane, ku po gërmohet me kazmë, po vendosen bazamente prej hekuri dhe pritet mbushja e tyre me beton, që duket se do të shërbejë si trotuar

Po ashtu vijimi i punimeve pranë Torrës Veneciane, rrezikon betonizimin e themelit të murit rrethues të qytetit, që u mbulua me çakull për tu konservuar, pas vendimit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Më 20 maj 2017, u hapën disa gropa të thella për mbjelljen e palmave, në Zonën Arkeologjike A dhe pas njoftimit të institucioneve përgjegjëse, firma që po zbaton projektin i mbushi përsëri me dhe këto gropa që cenuan arkeologjinë.

Qytetarët kanë kundërshtuar të gjitha veprimet në dëm të arkeologjisë dhe kanë zhvilluar disa protesta radhazi. Po ashtu një nga sondazhet arkeologjike, që zbuloi një pilastër romak, ku u identifikuan edhe gjurmë të kulturës ilire, u betonizua dhe për të gjitha këto dëme asnjë individ apo institucion nuk është vënë përpara përgjegjësisë, nga organet ligjzbatuese apo ato të kulturës.

Duket se projektet e bashkisë Durrës po rrezikojnë gjithnjë e më shumë nëntokën e pasur me objekte arkeologjike. BIRN zbuloi ë herët se projekti i bashkisë për ndërtimin e një nënkalimi me platformë betoni dhe plani për ngritjen e pallatit të Drejtësisë në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve, rrezikojnë me zhdukje pjesën e mbijetuar deri më sot të lagjes antike romake dhe sipas arkeologëve një epokë historike të shkëlqimit të qytetit bregdetar.

 

 

Të fundit