Flash News

KRYESORE

Vendi në zgjedhje të parakohshme? Flet ish-aleati i Bashës: Opozita ka dhënë prova se përmirëson politikën

Ndërsa shumë parti jo parlamentare kanë ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet vendore, kanë nisur aludimet edhe për një mundësi për zgjedhje të parakohshme në të gjithë vendin.

Ish-aleati i Lulzim Bashës në koalicionin opozitar, Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste flet për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për “Gazetën Mapo”, Duka thotë se fillimisht duhet punuar në përgatitjen e infrastrukturës dhe mbylljes në kohë të reformës zgjedhore.

“Në kujtesën time, nuk ka ndodhur asnjëherë që në muajt e parë të një mandati të ketë vatra kaq të shumta pakënaqësie ndaj një mazhorance. Duke njohur botën e biznesit, mungesën e investimeve të huaja, rënien e pritshme të indikatorëve ekonomik kur të ketë përfunduar TAP-i dhe HEC-i i Devollit, situata në vend nuk do të jetë aspak e këndshme për këdo. Këto janë pasoja të keqqeverisjes, dhe sigurisht, me këtë hap, nuk mund ta lënë në këmbë mazhorancën sepse po krijon kosto për qytetarët.

Unë mendoj se duhet ende shumë punë, jo nga pikëpamja e ofertës programore dhe të burimeve njerëzore, por në përgatitjen e infrastrukturës dhe mbylljes në kohë të reformës zgjedhore. Nëse ne shkojmë në zgjedhje pa reformuar ligjin elektoral, ju siguroi se vendi do të gjendet përsëri në këtë situatë politike. Mazhorancës nuk i intereson në këtë moment ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pasi nëse shkojmë në zgjedhje, ajo ka një përqendrim të pushtetit financiar, mediatik dhe kriminal që do ta lejonte të dilte fituese. Për këtë arsye betejën për reformën e Kodit Zgjedhor duhet ta udhëheqë Opozita, jo vetëm sepse është në disavantazh ndaj mazhorancës, por sepse nëpërmjet kësaj beteje mund të japë një sinjal shprese dhe ndryshimi për shoqërinë shqiptare. Opozita ka dhënë deri më tani prova të suksesshme dhe me impakt të qartë në përmirësimin e politikës, dekriminalizimi që votuam në 2015 ishte një kontribut i rëndësishëm.

Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet edhe për reformën zgjedhore, e cila duhet të garantojë rregullat e lojës, të cilat janë themeli i mirëqeverisje dhe përgjegjshmërisë. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e PAA-së, por është edhe rezultati i konsultimeve që kam bërë me partitë e tjera parlamentare të spektrit të djathtë, pra me z. Mediu, z. Shehi, z. Dule dhe z. Ndoka. Bashkërisht kemi vendosur hartimin e një draft-propozimi për t’ia prezantuat Partisë Demokratike. Për këtë qëllim, ditën e hënë pranë Hotel Tirana, në orën 10:30, do të zhvillojmë edhe një takim me partitë jo parlamentare, të cilat kanë vullnetin për t’u përfshirë në këtë proces. Sigurisht nuk do të mungojnë konsultimet edhe me LSI-në”, u shpreh Duka.

Të fundit