Flash News


KRYESORE

Vendimi, biznesmeni i arrestuar dje në Greqi ishte dënuar me 21 vite burg, gjykatat shqiptare ja zbritën në 4 vite

Vendimi, biznesmeni i arrestuar dje në Greqi ishte dënuar me 21 vite

Ditën e djeshme, biznesmeni Edmond Bego u ndalua nga policia greke në Igumenicë për llogari të drejtësisë italiane e cila e ka dënuar me 21 vite burg.

Për ndalimin e këtij shtetasi reagoi edhe Partia Demokratike e cila ngriti pikëpyetje në lidhje me faktin që një person i dënuar në Itali, në Shqipëri vepronte i lirë madje edhe si biznesmen në fushën e ndërtimit.

Në Shqipëri, Bego ka përdorur edhe të paktën katër identitete të tjera.

Gjykata italiane e ka dënuar Edmond Begon me akuzat e pjesëmarrjes dhe krijimit të organizatave kriminale, kontrabandës dhe trafikimit të drogës, heroinë dhe kokainë. Në vitin 2009 ai është arrestuar në Shqipëri, por dënimi i tij nga 21 vite u konvertua në 4 vite e 4 muaj.

Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhënë në datë 15 shtator 2010 përbëhej nga Gazi Dizdari, kryetar dhe anëtarë: Fatos Lulo, Besnik Imeraj, Andi Çeliku dhe Majlinda Andrea.

Bego ishte në gjykim për akuzën  "prodhim dhe trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike apo psikotrope", "organizatë që ka qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", "organizim dhe drejtim të organizatës kriminale."

Arsyetimi i vendimit

"Ka qenë detyrim i Gjykatave Shqiptare të faktit që në caktimin e dënimiot të respektonin disponimin e autoritetit gjyqësor italian e të caktonin një dënim të përafërt me minimumin e parashikuar nga dispozitat penale homologe të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ky Kolegj çmon se nisur nga fakti që minimumi i dënimit me burgim që parashikojnë dispozitat e neneve 283/a /I dhe 284/a/I të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë është 10 vjet burgim, pas aplikimit dhe të dispozitës së nenit 55 të këtij kodi, shtetasit shqiptar Edmond Bego, (Manoli Bega) duhet t'i caktohet një dënim përfundimtar prej 11 vjet burgim.

Mbi këtë masë dënimi duhet të zbatohet dispozita e nenit 406 të K.PR. Penale si dhe ulja prej 3 vitesh burgim, të cilën shtetasi shqiptar Edmond Bego e ka përfituar për shkak të aplikimit të ligjit nr 241/ 46 për Aministinë e Përgjithshme.

Në përfundim Kolegji Penal vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr 431 datë 02:06: 2010 të Gjykatës së Apelit të Tiranës përsa i përket njohjes së vendimit nr 1735 datë 22.04. 2008 të Gjykatës së Apelit Torino.

Ndryshimin e këtij vendimi përsa i përket konvertimit të këtij dënimi duke i caktuar të dënuarit Edmond Bego dënimin e tij me 11 vjet burgim.

Në zbatim të nenit 406 të K.Pr. Penale dënimin e tij me 7.4 vjet burgim.

Në aplikim të ligjit italian nr 241/45 për Aministinë e Përgjithshme i zbriten 4 vjet duke u dënuar përfundimisht me  4.4 vjet burgim.

 

Të fundit