Flash News

KRYESORE

Vendimi i Ivanov për të mos firmosur ligjin e gjuhëve, Qeveria e Maqedonisë: Keqardhje, ne po avancojmë shqipen por maqedonishtja mbetet e vetmja zyrtare

Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes një deklarate shprehu keqardhje për vendimin e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të mos e nënshkruajë dekretin për Ligjin për përdorim të gjuhëve.

“Në këtë rast dëshirojmë edhe një herë të theksojmë se të gjithë dispozitat në zgjidhjen ligjore për përdorimin e gjuhëve janë në pajtueshmëri me amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Me Ligjin ne avancojmë përdorimin e gjuhëve të të gjithë bashkësive në Republikën e Maqedonisë. Motivi për miratimin e këtij ligji është kujdesi për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë, në të cilën ndërtojmë një shoqëri të barabartë për të gjithë. Ky është një koncept, në të cilin kjo qeveri, beson fuqimisht dhe të cilin do të vazhdojmë edhe më tej ta avancojmë”, thuhet në këtë reagim të Qeverisë.

“Në këtë ligj, thuhet do të zgjerohet përdorimi i gjuhës zyrtare që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, që do të thotë se ligji e zgjeron përdorimin e gjuhëve nëpër institucione dhe do t’u mundësojë qytetarëve të komunikojnë me institucionet shtetërore në gjuhën e tyre amtare”, sipas këtij reagimi.

Në këtë deklaratë thuhet gjithashtu se “Ligji për përdorim të gjuhëve nuk e vendos në pikëpyetje karakterin unitar të Maqedonisë, madje as përdorimin e gjuhës maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, që edhe më tej mbeten gjuha dhe alfabeti i vetëm zyrtar në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, mbrojtje, policinë qendrore dhe politikën monetare”.

“Ligji do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias dhe të gjithë vërejtjet e tyre do të futen në tekstin e këtij ligji. Kjo është garanci se ligji nuk parashikon asgjë të kundërt nga standardet evropiane për përdorim të gjuhëve të bashkësive etnike. Nëse ndonjë qytetar ka të drejtë të flasë në gjuhën e tij amtare, me këtë nuk humbin qytetarët e tjerë, ndërsa fiton Republika e Maqedonisë, si shtet qytetar dhe demokratik”, theksohet në këtë reagim.

Të fundit