Flash News

KRYESORE

Vendimi për prishjen e teatrit, Ardian Vehbiu: Vendim i padrejtë, politika ka zgjedhur të bëjë 'show'

Vendimi për prishjen e teatrit, Ardian Vehbiu: Vendim i padrejtë,

Pasi Parlamenti rrëzoi dekretin e Presidentit, duke i hapur rrugë në mënyrë përfundimtare shembjes së Teatrit Kombëtar, studiuesi Ardian Vehbiu shprehet se ky vendim nuk është paraprirë nga një konsultë e thelluar me palët e interesuara.

“Këtë e vendosi Parlamenti me shumicë. A është e drejtë kjo? Të vendosë Parlameti për këtë gjë? Mua nuk më duket e drejtë. Kjo është përshtypja ime personale. Kjo duhej vendosur me shumë kujdes dhe me një konsultë shumë të shtrirë dhe të thelluar me të gjitha palët e interesuara. Duke filluar nga shoqëria civile, nga institucionet që merren me kulturën dhe në fund fare është politika”, tha Vehbiu.

Për studiuesin, i cili është shprehur disa herë për ruajtjen e Teatrit të vjetër si dëshmi e kujtesës historike të Tiranës, në rastin e institucioneve si Teatri tejkalohet politika e ditës dhe i hapet rrugë debatit në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj traditës.

“Një institucion si Teatri, në vetvete si institucion, por edhe ndërtesa ku është selia e teatrit, këto janë gjëra që e tejkalojnë politikën e ditës. Këto kanë lidhje me qëndrimin që do mbajmë ne ndaj traditës. Ky është një qëndrim që vazhdimisht debatohet në media dhe është në vëmendje të pushtetit, siç e sjellin ata vetë në vëmendje, duke filluar që nga kryeministri dhe deri te ministrja e Kulturës, apo edhe te kryetari i bashkisë dhe te lojtarë të tjerë të politikës”, tha më tej studiuesi, në një intervistë për TemaTV.

Megjithatë, sipas Vehbiut, qëndrimet kontradiktore për çështje të ndryshme tregojnë se herë pas here politika zgjedh të bëjë show, duke vendosur në fund me shumicën e kartonëve. Ai thekson se rasti i ligjit të Teatrit e reflekton këtë më së miri.

Duke iu referuar arkitektëve të huaj, Vehbiu thekson sërish se pavarësisht se ndërtesa e Teatrit Kombëtar nuk është pjesë e kompleksit monumental, ajo mbetet një prej objekteve të trashëgimisë historike të Tiranës që duhet ruajtur.

Të fundit