Flash News

KRYESORE

Vendnumëro: ikën Saje i Audit të zi, vjen Taku i çantës së zezë

Vendnumëro: ikën Saje i Audit të zi, vjen Taku i

Alfred Lela

Jemi në këtë pikë të historisë politike të Shqipërisë: Një deputet i majtë pritet të zhvishet nga 'këmisha e hekurt' e mandatit parlamentar, dhe në vend të tij pritet ta veshë atë koracë mbrojtëse një tjetër ligjvënës i majtë. I pari, Saimir Tahiri, po ikën në abys i ndjekur nga emblema misterioze e një Audi të zi. I dyti, Spartak Braho, po futet në skenë i pashqitshëm nga imazhi mediatik i asociuar me të, një çantë e zezë.

Viktor Plevin, autor rus shkruan se personazhi më popullor i kinemasë dhe letërsisë moderne është një çantë e zezë (e mbushur me para). Folklori ynë politik (modern!) është pak a shumë kështu: herë një makinë e zezë dhe herë një çantë e zezë.

Të marrsha të keqen, o fat i Shqipërisë: të jap një sajtahir e më jep një takbraho.

Edi Rama, kryeministri, një tjetër personazh i politikës, folklorit, modernitetit, kulturës, i tillë që ka dashur, vazhdimisht e përherë, të jetë Personazhi kryesor e jo thjesht një ndër ta, është në krye të horizontit kur vëmë dorën mbi ballë për t'u ruajtur prej shkëlqimit të zi të ngjarjeve të fundit.

Vargu i Kadaresë për të 'i gjatë shfaqet mes brymës kryebashkiaku', bie me sa duket, për t'u ngjitur një tjetër, që i ruan gjatësinë por brymën ia kthen në akull të zi. Retorika e tij me 'reforma dhe antireforma', 'do bëjmë shtet', 'policia që duam', 'rilindja urbane', dhe slogane të tjera, plot me varak propagandistik, ngjajnë sot si tabela të shtrembra në ballë të Hanit të Bishtanakës. Ngjarjet ia kanë përmbysur atelienë Edi Ramës. Ato kanë sjellë kuptime të reja politike për pushtetin, të tilla që thonë, sa më i paanë të duket ai, aq më e brishtë është koha dhe viti i tij.

Tabloja tjetër e 'Rilindjes' shpërfaqet në një kompleks rezidencial të quajtur paradoksalisht 'Kodra e Diellit'. Një strehë për shumë big wig-s* të medias dhe politikës, ndjekur nga shumë wannabe-s*. Aty banon edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Shtëpia e tij është plot me mbështetës, të cilët nuk kanë mënuar as të bëjnë një miting incognito para dyerve të pallatit të tij. (Joleza, fqinja e bukur, nuk është dukur por, me siguri, koka të tjera, më të vogla e më të mëdha, kanë qenë rreth e përreth).

Ja ku është: doli nga rezidenca në Kodrën e Diellit për të udhëtuar drejt Kodrës së Kinostudios. Dritat janë të forta si për xhirimin e një filmi. Sa më shumë kinematografi, zhvendosje nga realiteti, aq më shumë ngjarja vetë bëhet irelevante.

Cila është ngjarja? Ah, po, Audi i zi. Apo çanta e zezë?

Koha e Shqipërisë është futur në cajtnot*. Në joalternativë. Në perpetumin e një moszgjedhjeje që mund të shndërrohet në depresion.

Audi i zi. Saimir Tahiri dhe Habilajt. Çanta e zezë. Spartak Braho. Edhe ai me habilajt e vet.

Për xhenet u nisëm/ sosëm në xhehnem/ Shqipëri moj kuçkë/ ç'më bëre verem.

_____________________________________________________________________________________________

*big wig- nga anglishtja: peshat e rënda, njerëz të rëndësishëm.

*wannabe- nga anglishtja: njerëz që duan të jenë, apo t'i ngjajnë dikut.

*Cajtnot- nga gjermanishtja (zeitnot): në alarm për kohë, në bllokim.

 

Të fundit