Flash News

KRYESORE

Veprimtaria e bankave gjatë pandemisë, publikohet raporti për 6 muajt e parë të 2020; Sejko: Ekzistojnë pasiguri

Veprimtaria e bankave gjatë pandemisë, publikohet raporti për 6

Pavarësisht sfidave të krijuara për shkak të pandemisë në vend, "veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme”, këto janë përfundimet në të cilat ka mbërritur Banka e Shqipërisë pas hartimit të një raporti për Stabilitetin Financiar referuar 6-mujorit të parë të 2020-tës.

“Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira", thuhet më tej në raport.

Kujtojmë se, në mbledhjen ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi për disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe “Për disa ndryshime në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”

Deklarata e BSH pwr Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2020:

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 (më tej, “periudha”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend. Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira. Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e pranishme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://ëëë.bankofalbania.org/.

  • Disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe “Për disa ndryshime në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”

Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” vijnë si rezultat i rishikimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim harmonizimin e vazhdueshëm të tij me acquis të BE-së dhe dokumentet e Komitetit të Bazelit mbi regjimin e ekspozimeve të mëdha, por duke konsideruar edhe veçoritë dhe zhvillimet e tregut bankar shqiptar. Gjithashtu, ato përfshijnë dhe disa kërkesa të reja raportuese dhe monitoruese për bankat, të cilat janë reflektuar edhe në ndryshimet e rregullores “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”, për të siguruar konsistencë në raportimin e ekspozimeve të mëdha nga bankat, si në baza individuale, edhe të konsoliduara.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Të fundit