Flash News

KRYESORE

Courrier des Balkans: Vështirësitë ndërkombëtare një ditë para zgjedhjeve të kontestuara lokale në Shqipëri

Courrier des Balkans: Vështirësitë ndërkombëtare

Katerina Sula / Courrier des Balkans

Shqipëria është e angazhuar në rrugën e integrimit europian, vendi pret një datë të hapjes së negociatave me BE, por gjendet tashmë përballë një dështimi të pluri-partitizmit dhe të demokracisë. Të dielën, duhet të zhvillohen zgjedhjet vendore të anuluara nga Presidenti i Republikës, që i ka rivendosur ato për t’u zhvilluar 13 tetorin e ardhshëm. Ilir Meta ka thirrur të gjithë partitë politike të diskutojnë mbi këtë datë, por vetëm përfaqësuesit e opozitës kanë pranuar ta takojnë. Kryeministri Edi Rama refuzoi, duke këmbëngulur të ruajë votimin e 30 qershorit, dhe duke refuzuar për pasojë autoritetin kushtetues të Presidentit, i cili, është i vetmi që ka kompetencën për të thirrur zgjedhjet.

Nga ana e saj, Partia Demokratike (PD, opozitë), kërkon një qeveri tranzicioni dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Të shqetësuar se Shqipëria mund të japë një shembull të rrezikshëm, kancelaritë perëndimore kanë dënuar dhunën të një pjese të opozitës, por kanë qëndruar relativisht të heshtura mbi zhvillimin e votimin dhe bojkotin e opozitës. Për Bashkimin Europian dhe për OSBE-në, qeveria e Edi Rama perceptohet gjithmonë si një “garant i stabilitetit” dhe nën këtë vlerësim, askush nuk dëshiron të përfshihet në çështjet e saj të brendshme.

 Kurthi i “stabilitetit”

Delegacioni BE-së në Shqipëri, ashtu si dhe OSBE-ja kanë bërë thirrje të premten të “vetëpërmbahen nga çdo përballje dhe akt dhune”. Komunikimi i këtyre dy organizatave flet në mënyrë indirekte për “votën” e të dielës, pa përdorur saktësisht termin 'zgjedhje'. Në të kundërt, Këshilli i Europës e ka anuluar misionin vëzhgues të zgjedhjeve, për shkak të rreziqeve dhe mungesën e sigurisë në disa zona, si dhe mbi dyshimet që rrethojnë organizimin e zgjedhjeve. Këshilli vëren se 31 bashki mbi 61, ka vetëm një liste që i prezantohet për votim zgjedhësve dhe se është pra e vështirë, në këto kushte, të parashikohet një garë e lirë dhe e hapur.

Në Europë, gjermanët e ndjekin nga afër zhvillimin e situatës në Shqipëri, kryesisht dhe në kuadër të procesit të Berlinit. Deputetë konservatorë CDU-CSU në Bundestag, kanë kërkuar disa herë që përfaqësuesit politikë shqiptarë, të dyshuar të përfshirë në blerjen e votave, të çohen para drejtësisë. Për ata, bëhet fjalë për një parakusht për hapjen e negociatave në integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Linja politike e Shteteve të Bashkuara duket e vështirë për t’u ndjekur. Një pjesë e nënpunësve të Departamentit të Shtetit, shpesh herë sfidues ndaj Presidentit Trump, vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Edi Ramës, ndërkohë që përfaqësuesi demokrat i shtetit të New York-ut, Eliot Engel, kryesues i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë i Kongresit, ka thirrur për dialog mes të gjitha palëve, duke bërë thirrje rreziqeve nga konfrontimet e dhunshme.

Të fundit