Flash News

OP-ED

Vetëm protesta ka mbetur

Vetëm protesta ka mbetur

Erald Kapri

Sot është e vështitë t’i japësh përgjigje pyetjes ‘Si?’. Të paktën pyetjes ‘Pse?’, mundesh. Situata aktuale e vendit e ka një përgjigje. Humbja e shpresës, po ashtu.

Pas një ore mësimi dhe ashtu siç është bërë zakon, një kafe-bisedë me studentët, është lakmusi më i mirë për të kuptuar. Me studentët e Gazetarisë në Master, biseda hapet natyrshëm për integrimin europian, e në veçanti për mundësinë për të emigruar lehtësisht. Pyetjes se kush kërkon të ikë nga vendi, i vjen një kundërpyetje: Pse, ju nuk doni?!

Por, kjo nuk është e vetmja. Dy studentë të mirë po më tregonin se verën e kaluar punuan për të grumbulluar pak lekë për të nisur një aventurë të rrezikshme. Pasi kishin prerë biletat, pasi kishin siguruar letra false italiane, kishin tentuar të niseshin si klandestinë në Britani. Kur udhëtimi me avion dështoi, tentuan me kamion dhe u kapën në afërsi të portit të Kalesë. Një udhëtim mes të papriturave, ku rrezikonin edhe jetën. Por, ç’është më e rënda, ishin të gatshëm për ta ndërmarrë prapë këtë aventurë.

Imagjinoje pak veten përballë kësaj situate. Studentë në Master që mendojnë vetëm të ikin. Ata, të rinjtë. E frikshme. Kaq mjafton të mbyllësh gojën, të reflektosh më së paku.

Nuk munda dot të përgjigjem se ‘S?’i mund të dalim përballë kësaj situate, ama sërish këmbëngula se shpresa vdes e fundit. E së paku mund të bëjmë diçka mirë. Të protestojmë!

Pas zbulimit se vëllai i ministrit është i dënuar në Itali për trafik droge, do të mjaftonte që ministri i Brendshëm të jepte dorëheqjen. Shkoi të kryejë dënimin vetëm pasi u zbulua ky fakt që ishte mbajtur fshehur nga publiku. Akuza e përgjimeve se është i përfshirë në trafik droge do të mjaftonte që qeveria të binte. Përtej alibive, ato nuk kanë më vlerë pas 5 viteve qeverisjeje e ku asnjë alibi nuk ka funksionuar.

Nëse imagjinojmë një fushë shahu, Rama është si ai Mbreti që ka mbetur pa ushtarë dhe oficerë e që lëviz në fushë sa për të zgjatur lojën.

Ditën e shtunë, në datën 26 Maj, është lajmëruar një protestë dhe për ta pranuar hapur, ka mbetur instrumenti i vetëm për të reaguar. ‘Dëshmorët e Kombit’ është hapësira e vetme ku njerëzit e këtij vendi të thonë fjalën e fundit. Në të kundërt, të mos bëhemi hipokritë. Ose të presim e të shohim këtë vend tek vdes pak nga pak, o të çohemi e të ndalim krimin në pushtet. Kaq pak mund ta bëjmë!

Fundja vetëm protesta ka mbetur!

Të fundit