Flash News

KRYESORE

Vetëm të frustruarit u besojnë fake news  

Vetëm të frustruarit u besojnë fake news  

Il Foglio

Në Gjermani zgjedhjet po afrohen, do të votohet më 24 shtator, dhe për të shmangur ndikimin e elektoratit nga lajmet e rreme dhe tendencioze, qeveria po përgatitet në kohë. Në datë 14 mars, ministri i Drejtësisë Heiko Maas, paraqiti një projektligj për të limituar numrin dhe shkallën e përhapjes të “fake news” në rrjetet sociale. Teksti, i cili sipas ekzekutivit përkon me vullnetin e Bashkimit Europian për të ndërhyrë mbi temën, synon të detyrojë rrjetet sociale të heqin, në një periudhë kohore prej 24 orësh (në rastet më ekstreme, si përmbajtje që mohojnë Holokaustin) dhe shtatë ditë (në rastet më kontroverse) nga parashtrimi i ankesës, i lajmeve që konsiderohen të rreme ose nxisin urrejtie.

Platformat duhet të caktojnë një person përgjegjës për menaxhimin e ankesave. Nëse platformat online nuk përshtaten me politikat e reja, ato do të ndëshkohen me masa administrative që mund të shkojnë deri në 5 milion euro për përgjegjësin e menaxhimit të ankesave dhe 50 milion euro për kompanitë. Ministri i Drejtësisë tha se ligji ishte i nevojshëm për shkak se rrjetet sociale “nuk marrin mjaft seriozisht ankesat e përdoruesve”, duke shpjeguar se “janë shumë të pakta përmbajtjet  e paligjshme që fshihen dhe procesi me të cilin ato fshihen është shumë i ngadaltë”.

Projektligji i prezantuar nga Heiko Maas ka alarmuar shoqatën për telekomunikimin Bitkom, e cila ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me drejtimin e marrë nga qeveria në një deklaratë për Financial Times, duke theksuar se detyrimi për të fshirë përmbajtjen brenda 24 orëve për platforma mbi të cilat tranzitojnë deri në një miliard mesazhe në ditë “është absolutisht i papraktikueshëm në terma operacionale”  dhe rrezikon të krijojë “një mekanizëm permanent censure”. Bitkomi theksoi se në vend të ndëshkohen ekonomikisht rrjetet sociale do të ishte më e përshtatshme të ndiqej modeli francez. Në Francë Facebook ka nisur një partneritet me Poynter’s International Fact Checking Network (IFCN), një network i gazetave më të mëdha, për të krijuar një sistem verifikimi të lajmeve që kalojnë në rrjetet sociale. Fake news raportohen dhe përdoruesit njoftohen nga një pullë që vërteton “jo besueshmërinë” e lajmeve.

Frika e përgjithshme është se përhapja e lajmeve të rreme mund të jetë përcaktuese për përparimin e partive populiste. Një shqetësim që sipas një studimi të Departamentit të Psikologjisë të Universitetit Freie të Berlinit, është e mbivlersuar, edhe pse jo për t’u nënvlerësuar. Siç shpjegon studiuesi Richard Hepp “ fake news kanë një përhapje të lartë, por një dominim të limituar, të paktën në aftësinë për të ndryshuar opinion dhe/ose një qëndrim tashmë të përpunuar”.

Hulumtuesit studiuan sjelljen e një mijë personave (të përzgjedhur sipas planit mësimor, moshës, prejardhjes sociale) të vendosur përballë një fluksi lajmesh, dhe ju kërkuan pikëpamjet mbi disa argumenta nga titujt e prezantuar. 12 për qind arriti të dallonte në 70 për qind të rasteve cilat ishin lajmet e vërteta nga ato të rreme. Megjithatë, vetëm 4.2 për qind ndryshojë idenë mbi temën. Incidenca më e lartë u ndesh në segmentet më pak të arsimuara të popullsisë. 39 për qind e pjesëmarrësve të hulumtimit kishte një diferencë të gabimit në klasifikimin e lajmeve mes 15 për qind dhe 40 për qind, por vetëm 3.9 për qind kanë ndryshuar opinion. Megjithatë, në këtë rast, niveli i arsimit nuk ishte përcaktues. Gabimet e alokimit ishin pak a shumë të ngjashme për të gjitha kategoritë e arsimit. Në fakt, ajo që shkaktonte gabimet e gjykimit nuk ishte kultura e përgjithshme, por një faktor tjetër: pakënaqësia personale.

Subjektet e hulumtimit që përpara studimit u vetcilësuan të pakënaqur nga puna ose nga jeta e tyre sentimentale, në 94 për qind të rasteve kanë marrë si të saktë lajme nga burime qartësisht të pabesueshme, por që ndihmonte për të justifikuar ndjenjën e tyre të frustrimit. “Në procesin e elaborimit të kuptimit të çfarëdo lajmi dhe kapacitetit për të kuptuar atë shtohet një komponent që lidhet me perceptimi e vetes në shoqëri”, thekson Hepp. “Sa më i largët është lajmi nga konsiderata që kemi për veten, aq më i lehtë është rreziku i një leximi akritik nga i cili përjashtohet ndonjë sistem i klasifikimit dhe vlersimit i asaj që kemi lexuar apo mësuar. Në këtë panoramë një lajm i Spiegel do të ketë të njëjtën rëndësi i një lajmi të marrë nga www.janëtëgjithabroçkulla.com”. Në këtë mënyrë fake news “nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngjallin pakënaqësinë e njerëzve të pakënaqur, ndonëse nuk shkaktojnë një ndryshim të opinioneve të formuara më parë”.

 

Të fundit