Flash News

KRYESORE

Vetëvendosje reagon pas sekuestrimit të RTV ORA dhe ORA News: S'janë vetëm kompanitë e Ndroqit, por puna dhe paga e qindra qytetarëve

Vetëvendosje reagon pas sekuestrimit të RTV ORA dhe ORA News:

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Tiranë ka reaguar referuar situatës së krijuar me dy televizionet RTV ORA dhe ORA News në pronësi të Ylli Ndroqit pas sekuestros së vendosur nga SPAK.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, LVV me qendër Tiranë bën me dije 3 shqetësime për sekuestrimin e pasurive të Ndroqit, gjatë kohës që ai është ende në procedura gjyqësore:

Së pari, duhet shmangur keq menaxhimi i pronave të tij të vendosura nën sekuestër, si dhe përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj punëtorëve pa vonesa dhe pa u ndërprerë atyre punësimin. “Është e rëndësishme që administrimi i atyre kompanive të bëhet me përgjegjësi e transparencë të plotë edhe gjatë sekuestrimit, përderisa çështja ende vazhdon përmes organeve të drejtësisë”, thekson LVV .

“Së dyti, për sa kohë ende nuk ka mbaruar procesi gjyqesor, të mos vendosen pengesa për ushtrimin e profesionit të gazetarëve dhe të mos cenohet fjala e lirë.

Së treti, mirëadministrimi i pasurive të sekuestruara, shmangia e abuzimeve, ruajtja e vlerës së tyre, ruan punëtorët e punësuar aty, si dhe nuk paragjykon përfundimin e procesit gjyqësor, duke ruajtur edhe buxhetin e shtetit”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë i LVV:

Për të mirën e secilit qytetar të Shqipërisë, për të mirën e të punësuarëve në kompanitë e sekuestruara

Në rastin e sekuestrimit të pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi, gjatë kohës që ai është ende në procedura gjyqësore, është e rëndësishme të theksojmë tre shqetësime.

Së pari, pronat e tij të vendosura nën sekuestër, përfshijnë edhe disa kompani që kanë qindra të punësuar. Këta të punësuar janë bashkëqytetarët tanë, njerëz me familje e plane, me kredi e halle, të cilët në këto momente përballen me ankth e stres të shtuar. Është e rëndësishme që administrimi i atyre kompanive të bëhet me përgjegjësi e transparencë të plotë edhe gjatë sekuestrimit, përderisa çështja ende vazhdon përmes organeve të drejtësisë. Gjatë kësaj kohe, detyrimet kontraktuale ndaj punëtorëve duhet të realizohen pa vonesa dhe atyre nuk u duhet ndërprerë punësimi. Duhet shmangur keqmenaxhimi, i cili do të mund t´i çonte në humbje e drejt falimentimit kompanitë, sepse kjo do të shtonte vështirësitë ekonomike të të punësuarve, si dhe do të bënte më të pasigurtë të tashmen e të ardhmen e tyre.

Së dyti, meqenëse dy prej atyre kompanive janë mediatike, është tepër e rëndësishme që, për sa kohë ende nuk ka mbaruar procesi gjyqesor, të mos vendosen pengesa për ushtrimin e profesionit të gazetarëve dhe të mos cenohet fjala e lirë. Ditën e djeshme, ndërhyrja e forcave speciale të armatosura në ambientet e dy televizioneve duket si vazhdim i taktikave të presionit të një shteti policor. Televizionet e vendosura nën sekuestrim do duhej të administroheshin me përgjegjësi e transparencë, pa presion politik. Shqipëria e sotme nuk ka një mjedis të mirë e të lirë medial, gazetarët janë pre e presioneve të shumëfishta. Në raportet e tij, Bashkimi Evropian e ka cilësuar Shqipërinë si një vend që shfaq treguesit e një shteti të kapur, ndërkohë që organizata amerikane “Freedom House” e ka cilësuar këtë vit sistemin politik në Shqipëri si “hibrid”, për shkak të rritjes së autoritarizmit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Sekuestrimi nënkupton që Agjencia (shtetërore) për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të marrë përsipër administrimin dhe përdorimin e këtyre pasurive. Në një shtet të kapur dhe autoritar, rritet shqetësimi për pavarësinë e agjencive të tilla, sa kohë procesi gjyqësor ende vazhdon. Përzierja e pushtetit në punët e medias në këtë rast delikat, do të hidhte dyshime të mëdha mbi gjithë procesin.

Së treti, mirëadministrimi i pasurive të sekuestruara, shmangia e abuzimeve, ruajtja e vlerës së tyre, ruan punëtorët e punësuar aty, si dhe nuk paragjykon përfundimin e procesit gjyqësor, duke ruajtur edhe buxhetin e shtetit. Në të kaluarën kemi parë raste ku janë prodhuar kosto të mëdha për buxhetin e shtetit në emër të drejtësisë, por në mbyllje të proceseve askush s’ka mbajtur përgjegjësi për humbjet.

Bëjmë thirrje për një proces të përgjegjshëm e të paanshëm që mbron të drejtat e punëtorëve, gazetarinë dhe buxhetin e shtetit.

Tiranë, 4 gusht 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

Të fundit