Flash News

KRYESORE

Vetting-u në politikë, Taulant Balla sjell shembullin e Rumanisë për të kundërshtuar PD; socialistët në Bukuresht kërcënohen nga Brukseli

Vetting-u në politikë, Taulant Balla sjell shembullin e Rumanisë

“Byroja Kombëtare e Hetimit në Rumani ka çuar përpara drejtësisë 13 ministra, 30 deputetë. Ja pra ky është modeli më i mirë i vetting-ut të politikës.”

Kjo është mënyra e Taulant Ballës për të kundërshtuar edhe një herë tjetër propozimin e Partisë Demokratike për vetting në politikën shqiptare. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste solli shembullin e Rumanisë për të kundërshtuar opozitën shqiptare, por rasti i një prej shteteve më të varfra të BE-së nuk mund të merret në konsideratë pa rezerva.

Vetëm tre ditë më parë, qeveria socialiste në Bukuresht u paralajmërua hapur nga Brukseli se rrezikon të përfundojë në gjykatë nëse vijon me planin e saj për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Socialistët rumunë po përpiqen të ndryshojnë legjislacionin mbi organizimin e sistemit gjyqësor me qëllim uljen e pavarësisë së prokurorëve dhe heqjen e disa veprave penale të korrupsionit nga Kodet Penale.

Që pas ardhjes në pushtet në vitin 2016 të Partisë Social Demokrate, disa protesta masive janë organizuar në Rumani për të kundërshtuar planet e tyre për futur duart në sistemin e drejtësisë.

“Rumania ka bërë progres në të kaluarën, ndonjëherë madje edhe progres spektakolar, por po bën pas në një mënyrë që do të dëmtonte jo vetëm demokracinë rumune, por edhe vendin që Rumania ka ndërtuar si shtet anëtare e BE-së gjatë viteve të fundit. Ne do të vazhdojmë dialogun, por nëse rregullat e rëna dakord në nivel europian shkelen, Komisioni nuk do të ngurrojë të trajtojë pasojat dhe, ku është e përshtatshme, ta çojë Rumaninë në gjykatë”, paralajmëroi zv/kryetari i Parë i Komisionit Europian, Frans Timmermans.

Është e qartë se Balla nuk ka zgjedhur modelin më të mirë për të sjell si shembull kur vjen puna në ndëshkimin e politikanëve të korruptuar. Edhe në një vend të BE-së, siç është Rumania, që ndodhet në vëzhgim të vazhdueshëm nga institucionet evropiane dhe me reformë në drejtësi të përfunduar, politika e korruptuar mund të ndërhyrjë për të deformuar hetimet. Në vende si Shqipëria, situata është akoma edhe më e rëndë.

Të fundit