Flash News

KRYESORE

Vetting-u në politikë, vjen përgjigjja nga Komisioni i Venecias: Është synim legjitim; amendamentet të kalohen me konsensus

Vetting-u në politikë, vjen përgjigjja nga Komisioni i Venecias:

Ekspertët e Komisionit të Venecias e konsiderojnë legjitime kërkesën e opozitës shqiptare për të realizuar një proces vetting-u për politikanët. Në draftin paraprak dorëzuar në Tiranë, Komisioni shkruan se “nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.

“Për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”, thuhet në draft.

Gjithsesi, Komisioni thekson nevojën e për udhëzime të përshtatshme dhe masa mbrojtëse për zyrtarët që mund t’i nënshtrohen këtij procesi.

“Pavarësisht synimit legjitim duke parë situatën aktuale në Shqipëri, atë të heqjes së shkelësve të ligjit dhe ndikimit të tyre nga postet e larta qeverisëse dhe jeta politike, drafti kushtetues i propozuar për kontrollin e integritetit të politikanëve dështon të japë udhëzimet e përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, qoftë edhe në nivel kushtetues, për një proces të kësaj shkalle të gjerë, kaq kompleks dhe sensitiv, që do të ketë shumë implikime të rënda për të drejtat e atyre që do të bëhen subjekt i tij... Mbi të gjitha, duke marrë parasysh dispozitat ekzistuese në nenet 6/1, 45(3) dhe 179/a të Kushtetutës së Shqipërisë dhe legjislaticionit që implementohet lidhur me këtë aspekt (veçanërisht Ligji për Dekriminalizimin”, sikurse edhe mekanizmat e tjerë demokratikë të mundshëm, vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në dyshim”, thuhet ndër të tjera në raport.

Komisioni i Venecias ngre shtatë çështje që duhen adresuar me amendamentet kushtetuese të opozitës, duke patur si shqetësim kryesor që masat kundër zgjedhjes apo ndërprerja e mandatit të jetë në proporcionalitet me realitetin politik.

Duke njohur shqetësimin e opozitës, ekspertët theksojnë se ndikimi i krimit të organizuar në institucionet shtetërore pengon zbatimin e ligjeve në parktikë.

“Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”, shkruhet në raportin e Komisionit.

Komisioni i Venecias, ka risjellë në vëmendje konkluzionin e arritur në një cështje të ngjashme më parë sipas të cilit: “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.

Komisioni e Venecias e lë në dorë të Parlamentit të Shqipërisë për të vendosur për hapat e mëtejshëm në lidhje me amendimet e propozuara kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv mes të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në tërësi, në interes të demokracisë shqiptare.

DRAFTI I KOMISIONIT TËVENECIAS PËR VETTING-UN NË POLITIKË

Të fundit