Flash News

KRYESORE

Vettingu/Nuk justifikoi pasurinë, shkarkohet nga detyra gjyqtari Besim Trezhnjeva

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar një tjetër gjyqtar, në kuadër të procesit të vettingut, pjesë e Reformës në Drejtësi.

Ditën e sotme, në seancën përfundimtare, KPK vendosi të shkarkojë nha detyra gjyqtarin e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva.

“Në përfundim, të procesit të rivlerësimit trupa gjykues e përbërë nga Alma Faska, Firdes Shuli, Roland Ilia vendosi: Të shkarkojë nga detyra Besim Trezhnjeva, gjyqtar të gjykatës së Apelit Durrës”, u shpreh Faska.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën dëgjimore me gjyqtarin e apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva deklaroi se ai ka fshehur pasurinë dhe se deklarimi që ka bërë nuk përputhet.

Gjyqtari nuk justifikoi dot pasurinë e tij prej 20 milionë lekësh, si dhe ka në pronësi tre apartamente, 2 në Tiranë për të cilët nuk justifikon burimin e të ardhurave, dhe një në Durrës.

Vetë Trezhnjeva në përfundim të seancës tha se nuk i është llogaritur pasuria e krijuar mes viteve 1981-1994.

“Bashkë me bashkëshorten dhe vajzën kam 75 vjet punë dhe ajo që dëgjuat është pasuria ime. Është periudha që nuk është përgatitur nga ‘81 deri në ‘94”, tha ai për median, por duket se KPK e ka faktuar se gjyqtari duhet të shkarkohet dhe se nuk mund të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë, të paktën për 15 vite.

Avokati 

Ndërkohë, menjëherë pas seancës dëgjimore avokati i Trezhnjevës deklaroi se vendimi është i padrejtë dhe se do ta apelojë.

“Vetëm hetim të thelluar administrativ nuk kishte, ata duhet të pranonin kërkesën tonë për kryerjen e një rivlerësimi. ILDKP bën hetim të thelluar, ka një vlerësim të fundit të komisionit që thotë se ka diferenca, kërkuam të bëhet ekspertimi për një proces të rregullt, komisioni nuk e pranoi ndaj vendimi i është i parregullt”, u shpreh avokati.

Sitën e vettingut nuk mundi ta kalojë as gjyqtari i Gjykatës Administrative Fatos Lulo, i cili nuk justifikoi po ashtu një pasuri të majme, prej rreth 480 mijë dollarësh.

 

Të fundit