Flash News

KRYESORE

Vettingu/ U denoncua se liroi kreun e bandës së Avdylajve, KPK konfirmon në detyrë Donika Prelën

Vettingu/ U denoncua se liroi kreun e bandës së Avdylajve, KPK

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Pavarësisht denoncimeve nga opozita se është përgjuar në dosjen “339” teksa ka komunikuar me kreun e bandës së Avdylajve nga Shijaku, Astrit Avdylaj në kohën kur drejtonte Prokurorinë e Durrësit, apo ndonëse u konstatuan problematika sa i takon blerjes së dy apartamenteve dhe pagës së padeklaruar të bashkëshortit, Prela është konfirmuar nga KPK dhe ka kaluar “rrjetën” e vettingut.

KPK sqaroi se pas verifikimeve të kryera nga trupi gjykues, pas denoncimeve të PD, nuk kishte indicie të mjaftueshme që të hapej hetimi administrativ ndaj Prelës.

Kujtojmë se gjatë seancës dëgjimore Prela pranoi se bashkëshorti i saj nuk kishte paguar taksa dhe tatime për disa vite, por tha se ky ishte një problem i kompanisë ku i shoqi punonte si inxhinier.

Tre anëtarët e trupës gjykuese ishin  Roland Ilia,  Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

DEKLARATA E PLOTË E PD

Në një akt të paprecedentë në historinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka detyruar sot dy prej vartësve të saj të nxjerrin sekretin hetimor.

Vetëm për këtë shkelje flagrante të ligjit, Donika Prela duhet të shkarkohet nga organet e vetingut.

Vartësit e Donika Prelës nuk thonë të vërtetën. Shefja e tyre është pjesë e përgjimeve të bandës së Avdylajve në dosjen 339. Këtë e provojnë përgjimet e muajit janar 2018.

Duke qenë se tani Donika Prela e ka cënuar sekretin hetimor, le t’i shkojë deri në fund! Të urdhërojë të bëhen publike përgjimet audio të bandës së Avdylajve në muajin janar 2018, kur në makinën e kreut të bandës u gjet një armë pa leje, 9 mm, dhe Astrit Avdylaj u arestua në flagrancë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësi ta verifikojë këtë informacion.

Organet e vetingut duhet ta detyrojnë Donika Prelën të përgjigjet, nëse ajo ka urdhëruar dhe firmosur lirimin e kreut të bandës së Avdylajve dhe nxjerrjen e tij të pafajshëm, në janar 2018, kohë kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit.

Është në përgjegjësinë e organeve të vetingut të mos lejojnë një tjetër prokurore të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar të qëndrojë në sistemin e drejtësisë.

Të fundit