Flash News

OP-ED

Vëzhgim/ Ndodhi, në Urbanin e Unazës, që nuk janë legjendë urbane

Vëzhgim/ Ndodhi, në Urbanin e Unazës, që nuk janë

Marsel Lela

Marrja e urbanit në Tiranë është një sipërmarrje mw vete dhe mund të kthehet në vend aventurash të paimagjinueshme. Në urbanin e linjës së “Tiranës së Re”, të cilin e marr rrallë, pasi rrugën mund ta bësh më shpejt me këmbë se sa me të, më ka ndodhur të shoh gjëra nga më të habitshmet.

Rruga nga ‘Zogu i zi’ deri te ‘Komuna e Parisit’ është goxha e gjatë për ta bërë me këmbë, dhe një mundim i stërzgjatur me urban. Mes këtyre të dyjave zgjodha më të mundimshmen: mora urbanin. Vetëm dy minuta pas nisjes autobusi ndalon dhe pasagjerëve që ngjisheshin me njëri tjetrin, pa ajër të kondicionuar, u duhet të presin dhjetë minuta.

Dy gjëra mund ta ndalojnë aq gjatë një autobus të linjave të transportit qytetas: ndonjë defekt, ose një aksident. Në fakt, arsyeja e kësaj vonese ishte shumë herë më ‘ekzotike’. Pak sekonda përpara se të niseshim sërish, shoferi i urbanit del nga një kafene aty ngjitur ku sapo kishte konsumuar kafen e mëngjesit me një shishe uji në dorë, dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë vazhdon rrugën.

Fatorino, një djalë i ri rreth të 30-ave, kalon mes ‘dengut’ të pasagjerëve tw afrohet me sloganin e përhershëm ‘lekë, biletë, abone’. Nxjerr 40-lekshin, sa ç’është çmimi i biletës dhe në atë moment fatorino nis të më ngjajë më tepër me një spaçator që në vend të biletës, kërkon të më shesë ndonjë dozë kokaine, apo hashashi. Duke më shkelur syrin në mënyrë misterioze dhe me zë të ulët më pyet nëse 'e dua biletën'. Pasi i them, ‘patjetër, sepse kam paguar për të dhe sipas rregullores që e keni vënë në xhamin e urbanit mund të penalizohem nëse nuk kam biletë’, më thotë, po me zë të ulët, që kur të zbres t’ia jap prapë biletën.

Një marifet i tillë haset shpesh. Më e keqja është se janë vetë qytetarët ata që me papërgjegjshmëri ulin kokën përpara këtij abuzimi dhe pranojnë këtë ‘ofertë’ të fatorinove.

Kjo ndodh zakonisht pa ua kërkuar fatorino, por janë ata që me dëshirë nuk pranojnë ta marrin biletën, edhe pse mund të gjobiten për këtë nga kotrolljerët. Disa të tjerë e ruajnë të pazhubravitur biletën e tyre për t’ia kthyer sërish fatorinos kur të zbresin, ose ia lënë në sedijen e urbanit. Këto praktika çojnë në rritjen e çmimit të biletës dhe e gjithë kostoja bie po në kurrizin e qytetarëve.

Autobusi ndalon sërish. Nuk kemi mbërritur në asnjë stacion, nuk ka asnjë defekt dhe fatmirësisht asnjë aksident nuk ka ndodhur. Është thjeshtë koha e fatorinos për të marrë kafenë e tij. Për fatin tonë të mirë vonesa kësaj radhe nuk është aq e madhe, pasi ai vendos që kafenë ta marrë 'to go' në urban.

Asnjë nga pasagjerët nuk pipëtin në asnjë rast. Më vjen çudit dhe inat, por e gjitha kjo më bëhet e qartë për pak pasi një ‘trim’, burrë plak që dukshëm i kishte kalur të 70-at, ngre zërin dhe ankohet për vonesat e kota. Në atë çast, fatorino me një zë moskokëçarës i thotë të ‘qepë gojën dhe të mbajë vendin’. Por plaku nuk e ‘qep gojën’ dhe vazhdon me protestën, deri kur fatorino i avitet me të bërtitura, duke e kërcënuar se do ta marrë ‘për leckash dhe do ta flakë jashtë’. Sërisht asnjë ragim nga pasagjerët. Edhe ajo gojë që guxoi të hapej ‘u qep’.

Autobusi ndalon. Është stacioni i radhës, dy stacione përpara adresës por zgjedh ta bëj me këmbë pjesën që më ka mbetur, duke i kursyer vetes të tjera ‘aventura’.

Të fundit