Flash News

KRYESORE

Vëzhgimi/ Si po asgjësohet rinia në Shqipëri; të gjitha raportet kombëtare dhe ndërkombëtare japin alarmin

Vëzhgimi/ Si po asgjësohet rinia në Shqipëri; të gjitha

CRCA Shqipëri dhe ANYN, organizata që kanë në fokus të rinjtë në vendin tonë, publikuan dje Indeksin Kombëtar ku rezultonte se 73% e të rinjve nuk gjejnë mbështetje nga Qeveria. Të dhënat e raporteve të organizatave ndërkombëtare, tregojnë se rreth 70% e të rinjve në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë në një vend të BE-së dhe kjo për shkak se përballen me mungesa të mëdha në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe me mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit.

Sipas të dhënave publikuara nga INSTAT për tre mujorin e parë të vitit 2018-të, shkalla e papunësisë te grupmosha 15-29 vjeç ishte 24.5%. Kjo shifër mendohet se është shumë më e lartë pasi të dhënat më të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për vitin 2018, tregojnë se Shqipëria zë vendin e parë në Europë për papunësinë e të rinjve.

E konsideruar dikur si aseti më i vlefshëm për vendin, rinia sot është jashtë vëmendjes së Qeverisë dhe po përballet me sfida që po e asgjësojnë. Nëse në fillim të viteve 1990 mosha mesatare në Shqipëri ishte në mesin e të njëzetave, sot mosha mesatare ka arritur në 37 vjeç. Në vitin 2007-të mosha mesatare ishte 32.1 vite.

Shqipëria, pak mundësi për të rinjtë

Një studim i realizuar nga ‘Europian Youth Capital’ dhe i publikuar në fund të muajit maj të këtij viti, tregoi se Shqipëria gjendet e 48-ta në listën e 102 shteteve sa i përket qasjes së të rinjve në arsim, treg pune, jetë publike dhe ekonomike, mirëqenie, shëndetësi dhe ofrimin e mundësive.

Shqipëria performon mirë në garantimin e nevojave bazike për të rinjtë, si ushqyerja dhe përkujdesi shëndetësor, në garantimin e sigurisë, ndërsa më pak në zgjedhjet personale dhe liria, cilësia e mjedisit që e rrethon, aksesi në treg pune dhe mundësi të barabarta, përjashtimi nga grupe e lobime për jetën publike.

Fëmijë të kequshqyer

Ndonëse raporti i ‘Europian Youth Capital’ e tregonte Shqipërinë me performancë të mirë sa i përket garantimit të nevojave bazike për të rinjtë, si ushqyerja, në janar të 2018-ës, Autoriteti Rajonal Shëndetësor publikoi një raport dramatik që në mediat shqiptare kaloi pothuajse në heshtje. Sipas studimit të kryer, në shkollat në periferi të Tiranës rezultoi se 4% e fëmijëve janë nën peshë për shkak të kequshqyerjes. Pjesa më e madhe e tyre hanë vetëm një vakt në ditë.

Në bashkinë Kamëz studimi tregoi se zhvillimi i fëmijëve të moshës 8 vjeç është i mangët për shkak të mungesës së ushqimeve.

Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për rininë

‘CRCA’ njoftoi se deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Edhe pse Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, ka ngritur zërin për këtë problem thelbësor, Kuvendi i Shqipërisë dhe Qeveria pranuan të caktonin vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, ndonëse ata përfaqësojnë rreth 35% të popullsisë në Shqipëri.

Rreth 81% e organizatave Rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e Qeverisë për promovimin dhe fuqizimin e programeve të nxitjes së punësimit të të rinjve.

Të fundit në rajon për shpenzimet në arsim

Vendi ynë u rendit i fundit në rajon për vitin 2017-të sa i përket shpenzimeve për arsimin. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, Qeveria shpenzoi vetëm 3.1 për qind për arsimin, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 4-4.5%.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal nënvizon se Shqipëria ka performancën më të dobët në sektorin e arsimit, duke përfshirë infrastrukturën dhe burimet njerëzore.

133 mijë të rinj kanë braktisur shkollat

INSTAT ka publikuar disa të dhëna të tjera alarmante sa i përket braktisjes së shkollave në Shqipëri. Rreth 133 mijë nxënës ose 1 në 6 nxënës kanë braktisur shkollat përgjatë viteve 2013-2017.

Sipas këtyre të dhënave, nga arsimi 9 vjecar janë larguar 57,403 nxënës; nga arsimi mesëm janë larguar 31,875 nxën​ës; nga arsimi i lartë janë larguar 44,425 studentë.

Deputetët e rinj thjeshtë si fasadë

Kuvendi i Shqipërisë ka sot numrin më të lartë të deputetëve nën moshën 35 vjeç. Janë të paktën 12 deputetë që duhet të kishin bashkëmoshatarët në fokus të aksionit të tyre, por deri më tani nuk kanë realizuar asgjë.

Shpesh herë këta deputetë janë të parët në rresht kur duhet të mbrojnë liderët e tyre partiak, të marrin urdhra prej tyre dhe t’i zbatojnë me sy mbyllur, por asnjëherë nuk kanë arritur të bëhen seriozisht zëri i të rinjve në Parlament.

Nismat dhe projektligjet që ata kanë propozuar për përmirësimin e jetës për të rinjtë shqiptarë numërohen me gishtat e një dore. Pjesa më e madhe e tyre e përdorin Parlamentin si një pasarelë ku ekspozojnë veshjet e shtrenjta që një bashkëmoshatari të tyre do i duheshin disa muaj punë për t’i blerë. /K.S - Politiko.al

Të fundit