Flash News

KRYESORE

Viti '91, kur mësuesi i Leximit më 'kyçte' në bibliotekën e shkollës me 'Rilindjen Demokratike'

Viti '91, kur mësuesi i Leximit më 'kyçte'

ALFRED LELA

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Ruaj një revistë, që e kam dhuratë nga një zonjë shumë  e urtë dhe shumë e lexuar, që quhet Lila Plasari. Është 'Përpjekja Shqiptare' nr. 18-24, e vitit 1938. Botohej nga Branko Merxhani, themeluesi dhe artikuluesi i neoshqiptarizmës, një nga mendjet e pakta të mëdha që e ka stolisur këtë truallin tonë të quajtur Shqipëri. 

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Zhanri bëhet i parëndësishëm dhe i padobishëm nëse autori nuk është, sa i rëndësishëm aq dhe i dobishëm.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Do të vdes pa i lexuar kam përshtypjen. Por, në pamundësi për t'i lexuar të gjithë kam shtuar blerjet e librave. Më pëlqen të banoj brenda këtij paradoksi.

-Libri i parë që keni lexuar…

Më kujtohen emrat e dy persoanzheve, që quhen Uni dhe Zuri, dy djem indigjenë të Amerikës së Veriut. Kam qenë i mrekulluar me bëmat e tyre. Për kijamet, nuk më kujtohet as titulli dhe as autori i librit. Por, skenat i kam të qarta, siç vetëm mendja e një fëmije mund t'i ruajë.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk e di. Unë nuk kursej. 'As kam dhe as më mbarohen', thotë një njeri i dashur për mua.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Mbaj mend kur, si studentë të Gazetarisë i kalonim librat dorë me dorë me Kolin, Pandin, Rozin, Mondin, Edin e ca shokë të tjerë të mirë të rinisë së parë. 'I përpinim' librat e rinj e të paktë që dilnin në fund të viteve '90. Na ndrisnin sytë. Eshtë një shkëlqim që druaj se nuk haset më në sytë e studentëve të sotëm. Sa më takon, janë shoqërisht të rrezikshëm ata që lexojnë vetëm tekstet e shkollës, gradohen mirë me nota, dhe kërkojnë një vend në krye të shoqërisë.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Në të gjitha bibliotekat, që nga Tetëvjeçarja. Një episod: mësuesi i Gjuhës dhe Leximit, në vitin 1991, kur unë isha në klasë të 8-të, gjatë orës së Leximit më 'kyçte' në Bibliotekën e shkollës, një kthinë e vogël gjysmë e errët, dritarja e së cilës mbyllej me një kompesatë fibre, dhe më jepte të lexoja 'Rilindjen Demokratike'. Ishte mënyra e tij për të më 'nxjerrë nga rreshti', për të përhapur 'lajmin e mirë', dhe për të ndarë një 'sekret'. Ishte koha kur RD lexohej 'nën dorë'. Ka qenë një zotni burrë. Ndoshta ndikimi më i madh te unë. Quhet Gëzim Balla.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Bibliotekat tona nuk janë vendet e përshtatshme për të shkuar e humbur në lexime. BK, për shembull, ka qenë dhe mbetet një furrë në verë dhe një Siberi në dimër. Te Biblioteka në QS që quhej 'Peshkopatë', shkonim në dyshe për të eksploruar 'florën vajzërore'. Bibliotekat e mrekullueshme i kam hasur në Boston. Biblioteka Publike e Bostonit, për shembull, është çka që mund të quhet 'institucion i librit dhe leximit'. Ka madhështinë e një katedraleje të sekularizmit.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Sa herë më është dhënë rasti. Kam shpresuar t'i harrojnë. Por, shumë njerëz kanë qenë po aq të 'paturp' me librat e mi. Turpe të tilla bëfshim! 

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Jo.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

Unë kam filluar të lexoj 'tekste seriozë' në fund të viteve '80 kur kam qenë rreth 10 vjeç. 

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

I kam marrë si dhurata veprën e plotë të Kadaresë dhe Martin Camajt. Kështuqë varet nga dhurata. Dhurata të tilla janë perfekte për koleksionin klasik të bibliotekës personale të dikujt. Për librat e 'leximeve të ditës' kam shumë besim vetëm te vetja.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

 Shtrirë në kurriz.

-A lexoni në banjë?

Pse mendoni se i ka shpikur frëngu mbajtëset e revisatve dhe librave që vendosen në banjë?

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

 Amerikanisht. (A duhen gjuhët e tjera?)

 -Mbani shënime kur lexoni?

Kam mbajtur gjithmonë. Që në Tetëvjeçare. Atëherë sepse më dukeshin zbulime të mëdha frazat magjepsëse që lexoja në libra. Dehesha prej tyre. Tani e bëj sepse kujtesa ime pranon vetëm sintezën e leximeve, dhe jo detajet. Ndonjëherë, për arsye që kanë lidhje me punën ja ndjen nevojën detajeve. Nënvizoj si qen, sepse dua t'u kthehem koncentrateve të gjërave që kam pasë lexuar.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Dikur poezia. Tani lexoj nonfiction. Edhe proza letrare po më 'zhduket' nga harta e leximeve. Më duhet të furnizohem me atë që është shkruar apo shkruhet në komunikim, politikë, sociologji, histori etj. Dija nuk është lëndë me zgjedhje. Nuk e ke lejen apo tagrin për të shkruar dhe folur nëse nuk lexon. Shumë e bëjnë, por unë nuk mundem.    

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Për të njohur një pjesë të mirë të historisë sonë, një kohë kur është mbrujtur Shqipëria moderne, 'Kujtimet' e Eqrem bej Vlorës. Për tmerret e komunizmit 'Rrno për me tregue' të At Zef Pllumit. Për stilin dhe arketipin e shqiptarit, të pajetuar nga asnjë shqiptar veç imagjinatës së këtij autori, Kadarenë. Nëse je i interesuar për komunikimin, çdo gjë të Marshall McLuhan. Por, mos lexo asgjë, se kot e ke, nuk do kuptosh asgjë, nëse nuk ia nis nga Mitologjia greke. Sepse, çdo gjë që shkruhet prej dy mijë vjetësh, rrjedh pikërisht nga ajo përplasje epike mes apollonianes dhe ktonikes.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Uniteti i mitologjisë greke, që siç e thashë, shtrihet në të gjithë librat.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Mitet greke. Homerin. Danten.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

'Hape zemrën tënde drejt librave. Do të doja t'u tregoja syve të tu bukurinë e tyre...'.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

..Që ti të vije kaq e bukur,/ me këta flokë e këtë hap/ koha klimë të egër zhduku/ akullnjat ktheu mbrapsht. (Ismail Kadare)   

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Raviku i 'Harkut të Triumfit', ky burrë me një pasion të akullt të cilit kam dashur t'i ngjaj. Tani që kjo ka ndodhur jam i tmerruar.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

I., ish-partnerja ime, i ka marrë para disa vitesh Luljeta Lleshanakut, një poete që unë çmoj, një autograf. Ajo nuk e dinte se unë i çmoj njerëzit pikërisht prej distancës.

-Çfarë po lexoni?

'Psikologjia e turmave', 'How propaganda works', 'The father of spin', 'Propaganda'. Disa libra njëherësh. Mos t'ju dukem patetik: nuk i lexoj të gjithë përnjëherësh. E bëj për të shmangur lodhjen nga një tekst duke kryer atë që unë quaj 'lexim të kryqëzuar'.

Të fundit