Flash News

KRYESORE

‘Vizion Plus’ shtyn Ilir Metën drejt dekretimit të ligjit anti-teatër: Nuk ka asnjë shkelje kushtetuese. Precedentin e ke vendosur ti

‘Vizion Plus’ shtyn Ilir Metën drejt dekretimit të ligjit

Televizioni ‘Vizon Plus’ ka publikuar dje një kronikë ku paralajmërohet se presidenti Ilir Meta do të dekretojë ligjin që shemb Teatrin Kombëtar, ose në rastin më të keq do të kalohet në heshtje prej tij.

Ky televizion, që ndjek një linjë editoriale pranë mazhorancës së majtë, pretendon se ka mësuar nga burime brenda Presidencës se, në atë ligj nuk është vërejtur asnjë shkelje kushtetuese, gjë që sipas Vizion Plus, e bën të vështirë argumentimin e mundshëm për kthimin e ligjit në Parlament.

Në kronikë përmendej edhe një rast i një viti më parë kur Meta, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, mbështeti një ligj, që sipas Vizion Plus ishte ekzaktësisht i ngjashëm me atë anti-teatër, dhe që lejonte ndërtimin e një kulle përgjatë bulevardit të ri të Tiranës.

“Por pika më e fortë pavarësisht kuadrit ligjor, është precedenti të cilin vet Ilir Meta e vendosi një vit më parë kur mbështeti dhe dërgoi për dekretim në Presidencë një ligj të ngjashëm”, raporton ky televizion.

Presidenti Meta ka afat deri më 30 korrik për të dhënë mendimin e tij për ligjin e miratuar vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe që po kundërshtohet ashpër nga shoqëria civile dhe aktorët.

Ky ligj u miratua nga Qeveria në një kohë kur nuk ekziston Gjykata Kushtetuese dhe palët e interesuara nuk mund të drejtohen atje për një vendim.

Të fundit