Flash News

KRYESORE

Vizita e parë për takime dypalëshe në Maqedoninë e Veriut, Cakaj:  Të mbështesin njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve euroatlantike

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, i cili zhvilloi një konferencë për shtyp me homologun e tij Nikola Dimitrov, në Maqedoninë e Veriut, shprehu mbështetjen e Shqipërisë e drejtuesve më të lartë të shtetit për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe mbështetjen reciproke mes vendeve në rrugëtimin euro-atlantik.

“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm vend mik, por edhe partner për Shqipërinë. Pjesë e suksesit të Maqedonisë së Veriut, janë edhe shqiptarët që jetojnë këtu, duke u nisur që nga Marrëveshja e Ohrit deri tek Marrëveshja e Prespës. Sot me homologun Dimitrov diskutuam për një varg çështjesh, për domosdoshmërinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, si dhe bashkëpunimin për të qenë një zë i fuqishëm i njëri-tjetrit në çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Cakaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Dimitrov.

I njëjti mesazh u konfirmua edhe nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov i cili nënvizoi se: “Shqipëria dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe do të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike”, u shpreh Dimitrov.

I pyetur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh se “Në këtë kontekst, vizita ime ne Shkup duhet vështruar pikësëpari si një shprehje e gatishmërisë sonë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, por edhe si mbështetje pa ekuivok ndaj fqinjit tonë lindor për avancimin e integrimit euro-atlantik, përmes shtet-konsolidimit dhe ndërtimit të një shoqërie kohezive që respekton bashkëjetesën ndëretnike, barazinë në të drejta dhe detyrime për popullsinë shqiptare, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit”.​

Cakaj, në vizitën e tij të parë në rajon, zhvilloi edhe një sërë takimesh dypalëshe me partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kryediplomati u takua me Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, si dhe me Kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.

“Vizioni dhe vokacioni i padiskutueshëm i faktorit shqiptar në mbështetje të integrimeve Euro-Atlantike, rezultoi vendimtar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës” u shpreh Ministri në Detyrë Cakaj.

Ne këto takime u fol gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm të mbarë spektrit politik shqiptar ne proceset e shtetkonsolidimit.

"Konsolidimi i stabilitetit dhe prosperitetit, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për të gjithë rajonin, është një punë e vazhdueshme dhe proces i cili kërkon domosdoshmërish edhe vazhdimin e angazhimit dhe ruajtjes së koherencës mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", theksoi Ministri në Detyrë Cakaj në takimet me Kryetarët e Partive Politike Shqiptare.

Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe pritshmërisë së tyre për marrjen e një përgjigjeje pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.​

Të fundit