Flash News

KRYESORE

“Vizita ishte e suksesshme dhe e rëndësishme”, koha kur Tom Doshi pritej si mik në SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi pasditen e sotme se i ka ndaluar hyrjen në SHBA deputetit të Partisë Social Demokrate, Tom Doshi dhe familjes së tij pasi dyshohet se ai është i përfshirë në raste madhore korrupsioni dhe në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Megjithatë, marrëdhëniet e Doshit me zyrtarët amerikanë kanë pasur edhe periudhën e tyre të artë.

Nga datat 5-13 nëntor të vitit 2013, Tom Doshi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në SHBA, i ftuar nga Këshilli Amerikan-Izraelit, ku është takuar me zyrarë dhe kongresmen amerikanë.

Siç tregon edhe kjo foto, Doshi gjatë kësaj vizite është takuar dhe me Kongresmenët, Eliot Engel dhe Xhim Mekdermot, të cilët i kanë mundësuar deputetit shkodran një vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë asaj kohe, ajo që çuditi më shumë ishte fakti se ai arriti të japë edhe një intervistë në Uashington në Zërin e Amerikës, një media që është gjithnjë në të njëjtën linjë me qëndrimet e qeverisë amerikane [shih foton]. Për më tepër se kaq, ai bëri edhe një deklaratë të fortë. Ishte koha kur në vend kishin plasur protestat kundër armëve kimike dhe Tom Doshi bëri thirrje për t’i pranuar ato në Shqipëri.

Deputeti i fortë që dikur kishte çuditur shumëkënd duke qenë i vetmi në sallë që nuk kishte duartrokitur fjalimin e Hilari Klintonit në Parlamentin Shqiptar, tani po shndërrohej në proamerikan. Kur u kthye në Shqipëri, Doshi shkroi në faqen e tij në Facebook se elektorati i tij në Shkodër duhej të ndihej krenar për këtë vizitë.

Dhe kështu u duk për disa kohë se faqja e errët e Doshit pranë amerikanëve ishte fshirë, se emri i tij ishte hequr nga lista e zezë.

 

Të fundit