Flash News

OP-ED

“Vlerësimi studentor” dhe standardi i dyfishtë i përdorimit politik të tij  

“Vlerësimi studentor” dhe standardi i dyfishtë i

Mirela Karabina

Qeveria dhe Ministria e Arsimit promovuan Sondazhin Kombëtar Studentor, pjesë e “Paktit për Universitetin”, i cili zhvillohet gjatë periudhës 16 Prill- 2 Maj. Dhe, në fakt, vlerësuesit objektivë dhe më të besueshëm për universitetin janë vetë studentët. Ata, me protestën studentore të dhjetorit  bënë vlerësimin e tyre: notë jokaluese për qeverinë dhe ministrinë e Arsimit, pasi reforma e ndërmarrë prej tyre nuk u kishte siguruar arsimim cilësor, arsimim bashkëkohor dhe kushte  normale. Por, qeveria dhe ministria shpërfillën rezultatet e këtij vlerësimi masiv mbarëkombëtar studentor dhe u hodhën në sulm. Kështu, ata ndërtuan një model të strukturuar vlerësimi studentor, por jo për Qeverinë, as për Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, por për Universitetin. Dhe këtë, bazuar në rregullat e lojës qeveritare.

Pra, dy standarde të vlerësimit studentor dhe përdorim politik i tij.

A është kjo në shërbim të universitetit? Absolutisht, jo!

A duhet të ketë vlerësim studentor për mësimdhënien dhe shërbimet në universitete? Sigurisht, po!

Por, ky vlerësim nuk bëhet për të përmbushur “orekset” e një palë kundër një tjetre, sepse arsimi nuk ka palë; arsimi është një e mirë publike dhe të gjithë janë të interesuar për të.

Fatkeqësisht nuk po ndodh kështu.

Po çfarë është sondazhi studentor?

“Pakti për universitetin”, që nuk ishte gjë tjetër veçse një nxitim i qeverisë për të “shpëtuar” nga  revolta studentore, nuk përfshiu në pikat e tij, thelbin, atë për të cilën studentët u ngritën: arsimim cilësor i munguar dhe kushte jo normale. Kështu që, VKM-të e listuara në “Pakt” nuk zgjidhnin krizën, por e thellonin më tej atë nëpërmjet cënimit të autonomisë universitare.

Dhe, një prej tyre ishte dhe VKM-ja “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, edhe nëpërmjet sondazhit kombëtar të studentëve”, e cila është e paligjshme dhe e panevojshme. Kështu, nuk është në kompetencën e Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) vlerësimi i performancës për çdo pedagog, sepse këtë vlerësim e bën vetë universiteti me vlerësimin e brendshëm të tij. Kjo agjensi monitoron dhe vlerëson periodikisht cilësinë e institucionit dhe të programeve të ofruara prej tyre.

Ndërsa vlerësimi i jashtëm i cilësisë për universitetin kryhet në përputhje me Kodin e cilësisë në Arsimin e Lartë (sipas ligjit), kod i cili është hartuar nga ASCAL dhe Ministria përgjegjëse për Arsimin, miratuar (me vonesë, në nëntor 2018) me vendim të Këshillit të Ministrave. Si rrjedhojë, është ky kod që përcakton standardet shtetërore të cilësisë, të detyrueshme për zbatim prej institucioneve të arsimit të lartë.

Lindin pyetjet:

Pse pikërisht në këtë nxitim studentët i nënshtrohen këtij sondazhi?

Periudha kohore e shkurtër për t’u njohur me sondazhin (prill-maj) pamundëson realizmin e plotë të tij dhe ul besueshmërinë.

Pse Kodi i Cilësisë që miraton standardet e cilësisë është miratuar nga qeveria në nëntor të 2018-ës, tri vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Arsimit të Lartë?

Pra, aktet nënligjore të munguara, dalë përtej përcaktimeve ligjore, kanë penguar këtë proces vlerësimi dhe monitorimi.

Si qenka bërë akreditimi i universiteteve kur paska mungua pikërisht Kodi i cilësisë?

Kështu, Universiteti i Tiranës ishte i fundit në renditje, vetëm një vit akreditim mori, por në një vlerësim ndërkombëtar disa kohë më parë, ai listohet i pari ndër univeristetet shqiptare.

Pra, procese jo transparente dhe të jo besueshme.

Por, çfarë po ndodh realisht me sondazhin studentor?

I konceptuar gabim në ndërtim, sondazhi dëshmon jo profesionalizëm dhe i gjithë vlerësimi rrëzohet.

Kështu, në një broshurë sqaruese të ASCAL në lidhje me përmbajtjen e sondazhit dhe leximin e e tij, dukshëm, bie në sy shkalla joprofesionale e vlerësimit, nivele të shkallës të vendosura gabim dhe përshkrime të gabuara dhe të papërshtatshm .

Konkretisht vlerësimi i pyetjeve do bëhet në këto pesë nivele (krahas të tjerave), nga minimal në maksimal, të cilat  kanë probleme në renditje dhe përshkrime duke vënë në dyshim rezultatin:

Vlerësimi 1 – keq / aspak dakord;

Vlerësimi 2 – jo mirë/ fare pak dakord

Vlerësimi 3 – mirë/pjesërisht/as pro as kundër;

Vlerësimi 4 –mjaftueshëm/kryesisht dakord

Vlerësimi 5 – shumë mirë / plotësisht dakord  (ASCAL, Studentët vlerësojnë).

Ndërkohë nga deklarime të agjensisë (ASCAL) në informimim studentor për këtë sondazh, i cili bëhet për herë të parë, kanë marrë pjesë 4200 studentë, kundrejt numrit 140 000 gjithsej. Data e përfundimit të plotësimit të sondazhit on-line është shtyrë nga 2 maj më 5 maj, për arsye të festave, sipas Agjensisë. Ndërkohë sondazhi është on-line dhe nuk pengon studentët ta plotësojnë, qofshin në ditë shkolle apo pushimi. Në fakt, arsyeja e vërtetë e shtyrjes është numri  i ulët i studentëve pjesëmarrës në sondazh, vetëm 15% e tyre.

Pra, një Sondazh Studentor i strukturuar on-line nën kujdesin e Qeverisë dhe Ministrisë me pjesëmarrjen e 15% të studentëve përballë Vlerësimit Studentor Mbarëkombëtar në sheshe.

Pra, pakica  përballë shumicës, faktorët e diktuar përballë faktorëve realë të krizës.

Pjesëmarrja e ulët në sondazh është injorimi që studentët po i bëjnë kësaj farse politike, është shuplaka tjetër që po i japin qeverisë dhe ministrisë së arsimit, shpërfilljes dhe arrogancës së tyre pas revoltës së dhjetorit.

Ata, tashmë, po presin zgjidhje.

Këtë qeveria e di, ndaj i druhet një shpërthimi studentor, ndaj dhe nxiton të gjejë ‘fajtorin” me këtë sondazh drejtuar qëllimisht për të fshikulluar universitetin duke krijuar precedent të rrezikshëm: shantazhin e pushtetit ndaj universitetit.

Kjo nuk i shërben studentëve për t’i siguruar arsimim cilësor, kjo nuk i shërben universitetit për ta mbështetur dhe zhvilluar atë, kjo nuk i shërben shoqërisë për të pasur vlerësim real të universiteteve  por,  ky model i deformuar me standarde të dyfishta, veçse, thellon më tej krizën në universitete.

Ky është dështimi i tretë i qeverisë në Arsimin e Lartë, pas Reformës dhe “Paktit”.

Të fundit